
“Nuk e di nëse do kemi më një marrëdhënie të mirë”. Kështu u shpreh presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke konfirmuar në thelb përçarjen me Elon Musk. Ky i fundit e ka quajtur “mosmirënjohës”: “Pa mua, do t’i kishte humbur zgjedhjet”.
Gjatë një konference për shtyp në Zyrën Ovale, në prani të kancelarit gjerman Merz, Trump iu përgjigj një pyetjeje mbi kritikat e Musk – ish-drejtues i “DOGE”, departamentit për efikasitetin qeveritar – ndaj projektligjit për shkurtimet dhe shpenzimet e presidentit.
Trump mbrojti projektligjin dhe tha se Musk është i zemëruar sepse iu hoq “mandati për makinat elektrike”, domethënë subvencionet. Ai gjithashtu kujtoi se kishte refuzuar emërimin e një bashkëpunëtori të Musk në NASA.
Trump tha se ishte “i habitur” dhe “shumë i zhgënjyer” nga vendimi i Musk për të lënë “DOGE”: “Po bënte një punë të mirë, jam i sigurt se do i mungojë ky rol. Jam i zhgënjyer, e kam ndihmuar shumë”.
Sipas Trump, “Musk e njihte çdo aspekt të ligjit” fiskal që ka kritikuar ashpër kohët e fundit. “Ende nuk më ka kritikuar personalisht, por ndoshta kjo është gjëja tjetër që do bëjë”.
Aksionet e Tesla – kompania e makinave elektrike e themeluar nga Musk – ranë pas kritikave të tij ndaj buxhetit të paraqitur nga Trump.
Musk e quajti ligjin – që Trump e cilëson si një kryevepër – “të neveritshëm”. Ai sulmoi projektligjin duke përdorur një postim të vjetër të vetë Trumpit nga viti 2012, ku presidenti shprehej kundër deficitit buxhetor: “Asnjë anëtar i Kongresit nuk duhet të rizgjidhet nëse buxheti i vendit nuk është në baraspeshë: deficitet nuk lejohen!”. Musk komentoi me ironi: “Nuk mund të jem më shumë dakord”.
Pas deklaratave të Trumpit në Zyrën Ovale, Musk e mohoi atë që tha presidenti përmes rrjeteve sociale: “s’ka problem” (“whatever”), tha përballë kritikave, duke shtuar se Trump “gënjen: ky ligj kurrë nuk m’u tregua më parë”.
Musk shtoi më pas në X – rrjeti i tij social – se “pa mua, Trump do kishte humbur zgjedhjet, Demokratët do kishin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Republikanët do ishin 51-49 në Senat”. Në një tjetër postim, shtoi: “Çfarë mosmirënjohjeje!”.
Ai vazhdoi: “A është koha të themelojmë një parti të re që përfaqëson vërtet 80% të popullsisë?”. Duke publikuar edhe një sondazh për ndjekësit e tij, të cilët mund të votonin për 24 orë. Vetëm disa minuta më vonë (rreth orës 20:45 me orën italiane), rreth 260,000 njerëz kishin votuar, dhe 84% kishin thënë “po”.
“Mënyra më e lehtë për të kursyer miliarda dollarë në buxhet është të përfundojmë subvencionet dhe kontratat qeveritare për Elonin. Më ka habitur gjithmonë që Biden nuk e bëri këtë!”, ishte kërcënimi i presidentit Donald Trump pas përplasjes me shefin e Teslës, aksionet e së cilës humbën rreth 100 miliardë dollarë në bursë brenda pak orësh.
“Është koha të hedhim bombën e madhe – reagoi Musk. – Donald Trump është në dosjet e Epstein. Kjo është arsyeja e vërtetë pse nuk janë bërë publike. Ditë të mbarë, DJT! E vërteta do dalë në shesh”. Dhe në lidhje me ndërprerjen e kontratave qeveritare, shkroi: “Në dritën e deklaratës së presidentit për anulimin e kontratave të mia qeveritare, SpaceX do nisë menjëherë çmontimin e anijes hapësinore Dragon”. “Trump meriton të shkarkohet”.
Toni i lamtumirës zyrtare – siç u përshkrua më parë – ishte shumë ndryshe: vetëm pak ditë më parë Trump i dhuroi Musk një çelës të madh të artë të Shtëpisë së Bardhë; presidenti e lavdëroi punën e DOGE-it, duke thënë se ekipi i tij do vazhdojë edhe pa Musk, i cili, sipas tij, “jam i sigurt do vazhdojë të merret me të nga larg, duke ardhur kur të jetë e nevojshme”; ndërkohë, Musk e falënderoi presidentin për besimin, duke premtuar se angazhimi i tij do vazhdonte, edhe në distancë.
Top Channel