Inside Story/ Nga intimidimet te kontratat, a po ndryshon situata e gazetarëve me procesin e negociatave

04/06/2025 21:58

Sipas raportit të organizatës së ‘Reporterëve pa Kufij’, në Shqipëri, liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike, një kuadër ligjor me të meta dhe rregullore partiake.

Gazetarët cilësohen si viktima të akteve të frikësimit nga politikanët dhe krimi i organizuar. Raporti vlerëson kushtetutën e Shqipërisë dhe angazhimet ligjore ndërkombëtare që garantojnë lirinë e shtypit, por thekson se mbrojtja për konfidencialitetin e burimeve është e pamjaftueshme.

Renditja me 18 vende plus e Shqipërisë shpjegohet në radhë të parë me rënien e vendeve të rajonit Kosova dhe Bosnje Hercegovinë sepse kështu është metodologjia e indeksit. në radhë të dytë lidhet me disa ndryshime shumë specifike që kanë të bëjnë me vendimi e GJK në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe burimeve të gazetarisë në pranverë të 2025 dhe fakti që nuk kemi patur ngjarje madhore në vitin e fundit siç ka qenë në 2023 sulmi ndaj Top Channel’ u shpreh Blerjana Bino, Drejtuese e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim, SciDev.

Ishte shumë e qartë që klima ekonomike dhe politike është përkeqësuar në raport me median pra gjithçka që mund të bëhet keq nga politika dhe ekonomia është bërë edhe më keq por ka pasur disa elemente të tjerë që nuk janë esenciale që kanë krijuar këtë rritje që për mua është artificiale’ u shpreh Koloreto Cukali, Kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias.

Çdokush duhet të kuptojë se gazetari është aty për të kërkuar llogari për interes të publikut. Për këtë, pushteti dhe politika në tërësi duhet të pranojë se është aty për të dhënë llogari para gazetarëve, për qytetarët.

Për të kuptuar që po, gazetari nuk preket, gazetari është aty për publikun, po gazetari të kërkon llogari sepse prandaj quhet llogaridhënie ata të gjithë që marrin detyrat duhet të japin llogari dhe gazetari e kërkon këtë llogari përmes pyetjeve në interes të publikut dhe për publikun’ u shpreh Anila Hoxha, gazetare.

Në këtë kaos mediatik është e vështirë veçanërisht për gazetarët të cilët duhet të luftojnë të vetëm e kundër të gjithëve për të mbrojtur profesionalizmin, gazetarinë cilësore, investigimin, nga zhurma mediatike dhe nga ata që kur cenohen nxjerrin dhembet ndaj gazetarëve.

Sfidë është çdo ditë që ne e dimë që do të përballemi qoftë me bizneset qoftë me institucione që më përpara dikush nuk i ka prekur aty ku ju dhemb’ u shpreh Antela Lika, gazetare.

Kam përshtypjen se sfida kryesore është aksesi në informacion për të bërë raportime të pavarura dhe të balancuara, sidomos në periudha zgjedhore por edhe jashtë saj’ u shpreh Esiona Konomi, gazetare.

Kushtet e punës së gazetarëve në vendin tonë mbeten problematike. Nëse në të shkuarën flisnim për mungesën e kontratave ky fenomen është zbehur edhe pse në mediat e vogla apo portale të paregjistruara në domenet shqiptare kjo vijon të jetë normë… Mungesa e kontratave i vendos në pozita të vështira dhe larg çdo mbrojtjeje formale, ligjore.

Sot ka ndryshuar situata por ato nuk mund të konsiderohen kontrata të negociuara janë kontrata të imponuara në të njëjtën kohë që ofertuesi i vendit të punës të bën të imponon detyrimisht dhe nënshkrimin e një kontrate’ u shpreh Aleksandër Çipa, Kreu i Unionit të Gazetarëve.

Top Channel