
Gazetarët në Kosovë thonë se Kurti po përpiqet t’i vendosë nën kontroll.
Për këtë, sjellin në vëmendje se në krye të televizionit publik është vendosur një njeri i besuar i tij.
‘Për herë të parë në pozitën më të rëndësishme në RTK është caktuar një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje i cili në bazë të raporteve del që ka qenë financues i partisë në pushtet’ u shpreh Ehat Miftaraj, Instituti i Kosovës për Drejtësi
‘Kjo përbën një mungesë të lartë të transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve të Kosovës sepse llogaridhënia dhe transparenca matet me atë se sa jeni të gatshëm tu përgjigjeni pyetjeve të gazetarëve në raport me situatat politike por edhe të tjera’ u shpreh Alban Zeneli, Profesor në Universitetin e Prishtinës.
Një tjetër pikë që ka irrituar median është ligji për komisionin e pavarur të medias. Ky është një komision që ka të njëjtin rol si AMA në Shqipëri. Ligji është votuar, por më pas është dërguar në gjykatën Kushtetuese e cila e ka hedhur poshtë.
‘Kuvendi i Kosovës partia në pushtet kishte hartuar një ligj për KPM-n i cili ishte skajshmërisht me vlerat me parimet që promovojnë lirinë e medies në Kosovë fatmirësisht ky ligj ishte shfuqizuar nga gjykata kushtetuese’ u shpreh Ehat Miftaraj, Instituti i Kosovës për Drejtësi.
‘Pastaj është ligji për KPM, pastaj është mbyllja e Klan Kosovës, ai bëra hapa për ta mbyllur paçka se gjykata vendosi ndryshe’ u shpreh Berat Buzhala, gazetar.
Kritikat për sjelljen e Kurtit me gazetarët janë të shumta e megjithatë, ai ka zgjedhur të qëndrojë larg, që konsiderohet strategji për ti ikur ballafaqimit dhe pyetjeve të gazetarëve.
‘Kryeministri Kurti nuk jep intervista në TV kosovare për 4 vjet, mund të ketë dhënë 10 intervista, maksimumi flet për media’ u shpreh Xhemajl Rexha, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës ndërkombëtare.
Qeveria e Kosovës beson se flet me publikun nëpërmjet Facebook ai është një komunikim i njëanshëm. Daljet publike të Kurtit, intervistat e tij dhënë për medie në Kosovë gjatë mandatit të tij janë shumë të pakta. Pothuajse në të gjitha rastet ai ka zgjedhur të japë intervista për mediat e huaja.
‘Rama shkoi në të gjitha debatet televizive, shkoi në Top, shkoi në Klan, shkoi në MCN edhe u përball me gazetarë opinionistë që janë kundër Ramës. Më pëlqeu debati i Neritanit me Ramën e bëri Ramën për 5 pare mirëpo doli. Albin Kurti nuk ka dhënë intervista ai nuk jep intervista, 4 vite mandat e kreu pa asnjë intervistë’ u shpreh gazetari, Berat Buzhala.
‘Në institutin e Kosovës për drejtësi kemi bërë një analizë lidhur me atë që kryeministri Kurti sa intervista ka zhvilluar në Kosovë e sa për mediume të huaj dhe del që numri më i madh i intervistave të Kurtit është për mediat e huaja dhe kryesisht për çështje që lidhen me politikën e jashtme pra me dialogun’ u shpreh Alban Zeneli, Profesor në Universitetin e Prishtinës.
Në të njëjtën linjë me kreun e qeverisë kanë shkuar të gjitha institucionet të cilat kanë zgjedhur të mos iu përgjigjen gazetarëve në Kosovë. Ankesat e gazetarëve janë drejtuar në Agjensinë për informim dhe privatësi, që ka të njëjtin rol si Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Shqipëri.
‘Fatmirësisht Kosova ka një agjenci për informim dhe privatësi e cila është në nivel të detyrës dhe kjo dëshmohet me faktin që jo vetëm instituti por edhe medie, qytetarë apo grupe që kanë interes ta mbajnë qeverinë llogaridhënëse parashtrojnë kërkesa për qasje në dokumentet publike’ u shpreh Ehat Miftaraj, Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Top Channel