
Gianluigi Donnarumma sapo ka arritur kulmin e karrierës duke siguruar titullin e Ligës së Kampionëve me Paris Saint-Germain, pas fitores spektakolare 5-0 ndaj Interit.
Portieri italian shkëlqeu përsëri me pritjet e tij të jashtëzakonshme gjatë gjithë turneut, duke tërhequr vëmendjen e të gjithë botës së futbollit.
Megjithatë, pyetja që ndjek tifozët e PSG-së është nëse Donnarumma do të vazhdojë aventurën e tij në Paris apo do të largohet. Vetë portieri, në një intervistë për Sky Italia, la hapur mundësinë e largimit: “Nuk e di nëse do të qëndroj. Do ta shohim në ditët në vijim – për momentin, jam i fokusuar te kombëtarja,” deklaroi ai.
Kontrata e Donnarummas skadon në vitin 2026 dhe rinovimi duket i vështirë në një fazë ku PSG po ristrukturon skuadrën nën drejtimin e drejtorit sportiv Luis Campos. Klubi po kërkon të fokusohet në marrëveshje më fleksibël, të lidhura me performancën, ndërsa portieri fiton aktualisht rreth 10 milionë euro në vit – një shumë që ai ndjen se nuk përkon me arritjet e tij, veçanërisht pas triumfit në tre trofetë kryesorë.
Nga ana tjetër, interesimi për Donnarumman është i madh. Sipas “Gazzetta dello Sport”, klube të mëdha si Bayern Munich, Real Madrid dhe Manchester United po ndjekin nga afër situatën. Vlera e tij aktuale në treg llogaritet rreth 40 milionë euro.
Kjo nuk është hera e parë që Donnarumma përballet me një situatë të tillë. Në moshë të re, te Milani, ai u gjend mes një dileme të ngjashme: të rinovonte apo të largohej. Edhe pse kritikohesh dhe pati protesta nga tifozët, Donnarumma vendosi të largohej si lojtar i lirë.
Top Channel