Trump firmos tarifat e reja! Nga e mërkura, çeliku dhe alumini do të importohen 50% më shtrenjtë, reagon BE

03/06/2025 22:39

Presidenti amerikan Donald Trump ka firmosur rritjen e tarifave mbi importet e aluminit dhe çelikut në 50%.

Vendimi u konfirmua nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cila tha se qëllimi është mbrojtja e industrisë vendase.

Në të njëjtën kohë, Brukseli dhe Uashingtoni po përpiqen të shmangin përshkallëzimin e tensioneve tregtare. Pas një telefonate mes presidentit Trump dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, palët ranë dakord të përshpejtojnë negociatat.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Tregtinë, Olof Gill, deklaroi se dita e parë e bisedimeve në Uashington ishte konstruktive. Nesër pritet një takim mes komisionerit evropian dhe përfaqësuesit amerikan.

Shtëpia e Bardhë ka nisur t’u dërgojë letra partnerëve ndërkombëtarë për t’u kujtuar afatin e tarifave, ndërsa detajet e mesazhit nuk janë bërë publike.

Sa i përket situatës në skenën e brendshme politike në SHBA, Elon Musk ka sulmuar sërish Trump, pasi ka shpërthyer në kritika ndaj projektligjit republikan për shpenzimet, duke e quajtur “një neveri të neveritshme”.

Shtëpia e Bardhë u përgjigj sërish me zëdhënësen Leavitt “se presidenti nuk po ndryshon qëndrim”.

Ndërkohë të martën u publikua portreti zyrtar i ri i presidentit Trump. Në foto, ai shfaqet me kravatë të kuqe dhe pa flamurin amerikan në sfond, një ndryshim i pazakontë krahasuar me traditën e mëparshme që ka ngjallur debate dhe kritika në adresë të kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Top Channel