
Familja e shtetasit egjiptian të akuzuar për tentativë vrasjeje pas sulmit me molotov në Kolorado është marrë në paraburgim nga policia e Denverit.
Sipas dosjes hetimore, sulmuesi i dyshuar, Mohamed Soliman, ka një grua dhe pesë fëmijë. Statusi i imigracionit në SHBA i këtyre gjashtë anëtarëve të familjes, të cilët aktualisht mbahen në Florence të Kolorados, është i paqartë, thotë CNN.
FBI-ja e identifikoi Solimanin si të dyshuarin e vetëm në sulm. Ai akuzohet se ka përdorur një flakëhedhës të improvizuar dhe koktej molotovi për t’i vënë flakën njerëzve në një aktivitet në Boulder të mbajtur në mbështetje të pengjeve në Gaza.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, konfirmoi të martën se familja e Soliman është marrë në paraburgim nga ICE, duke shtuar se zyrtarët federalë po hetojnë nëse ata ishin në dijeni të sulmit të së dielës ose nëse i kanë ofruar mbështetje.
“Po hetojmë gjithashtu se deri në çfarë mase familja e tij dinte për këtë sulm të tmerrshëm, nëse kishin ndonjë dijeni për të ose nëse i dhanë mbështetje”, tha ajo.
Soliman, i cili tani përballet me krime të urrejtjes dhe akuza shtetërore për krime të rënda, u paraqit në gjykatën shtetërore të hënën dhe pritet të dalë në gjykatën federale të premten.
Në një intervistë me zyrtarë federalë dhe lokalë pas sulmit, Soliman tha se “donte të vriste të gjithë sionistët” dhe se e kishte planifikuar sulmin për një vit. Dhjetëra njerëz, përfshirë një të mbijetuar të Holokaustit, u plagosën, disa me djegie të rënda.
Top Channel