Samiti i NATO-s në Hagë/ Shtëpia e Bardhë konfirmon pjesëmarrjen e Presidentit Trump, edhe Zelensky do të jetë i pranishëm

03/06/2025 22:31

Trump ka kritikuar prej kohësh partnerët e NATO-s për mospagimin e pjesës së tyre për aleancën dhe nuk e kishte konfirmuar më parë se do të merrte pjesë në takimin që do të mbahet këtë qershor, i pari i tij me aleancën transatlantike që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë.

Këtë të martë, gjatë një konference për shtyp, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, konfirmoi se presidenti amerikan do të shkojë në samitin e NATO-s.

Lufta e Ukrainës me Rusinë do të jetë gjithashtu në agjendë, teksa Presidenti Volodymyr Zelensky konfirmoi po sot se vendi i tij është ftuar.

Republikani Trump kërcënoi të tërhiqej tërësisht nga NATO gjatë mandatit të tij të parë dhe që atëherë ka kërcënuar të mbrojë vetëm ata aleatë që ai mendon se po shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtje.

Administrata e tij ka ngritur gjithashtu mundësinë që të zhvendosë forcat larg Evropës për t’u përqendruar në kërcënime diku tjetër si Kina, ndërkohë që ka shkaktuar tensione me aleatë si Kanadaja dhe Danimarka, duke kërcënuar territorin e tyre.

Kërkesa e tij kryesore është që anëtarët e NATO-s të shpenzojnë pesë për qind të PBB-së për mbrojtje, duke pretenduar se Uashingtoni po mban pjesën më të madhe të barrës për mbrojtjen e tyre.

Asnjë nga 32 anëtarët e NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk e arrin aktualisht këtë nivel.

Ndërkohë, shefi i aleancës dhe ish-kryeministri holandez Mark Rutte ka paraqitur një propozim për 3.5 për qind të PBB-së për shpenzimet direkte të mbrojtjes deri në vitin 2032 dhe 1.5 për qind të shpenzimeve më të gjera që lidhen me sigurinë.

Marrëveshja e kompromisit e Rutte mori mbështetje nga fuqitë e mëdha Gjermania dhe Franca në maj, duke rritur shanset e saj për të vijoi më tej me synimin për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen.

Top Channel