
Liverpuli është një qytet që mafia shqiptare ka pasur gjithmonë vështirësi për ta depërtuar, ndryshe nga pjesa tjetër e Britanisë ku ajo dominon tregun e drogës, shkruan Daily Mail.
Ky realitet pasqyrohej edhe në dramën kriminale të BBC-së ‘This City Is Ours’ (Ky Qytet është i Yni), ku bosi i krimit në Liverpul, Michael Kavanagh, refuzon krijimin e lidhjeve me trafikantët shqiptarë.
Daily Mail ka zbuluar një sërë provash, përfshirë mesazhe, që tregojnë se si bandat lokale ruajnë kontrollin mbi tregtinë e drogës në Liverpul dhe tregohen të kujdesshme për të mos lejuar rivalët shqiptarë të fitojnë terren.
Është territori i fundit i drogave në Angli që nuk kontrollohet nga mafia shqiptare, e cila ka forcuar pushtetin në Britani përmes reputacionit për besueshmëri, çmime të ulëta dhe gatishmëri për të përdorur dhunë vdekjeprurëse.
Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) pranon se kriminelët shqiptarë ushtrojnë “kontroll të konsiderueshëm” mbi tregtinë e drogës në Britaninë e Madhe.
Por si kanë arritur gangsterët e Liverpulit të mbajnë dominimin përballë një rreziku kaq të madh?
Shikuesit e serialit ‘This City Is Ours’ mund të kujtojnë një skenë ku Jamie Phelan – që përpiqet të zëvendësojë Michael Kavanagh si drejtues i perandorisë familjare të drogës – propozon të blejnë një ngarkesë nga trafikantë shqiptarë. Por Michael e refuzon idenë me zemërim, duke thënë se “nëse i përfshin shqiptarët, ata nuk do largohen më kurrë”.
Edhe pse skena është fiktive, prova nga jeta reale tregon se debati i bosëve të krimit në Liverpul për bashkëpunimin me furnizues nga Ballkani është shumë i vërtetë.
Kjo u ilustrua nga një bisedë mes lordëve të drogës në Liverpul, Vincent dhe Francis Coggins – të njohur si pjesë e bandës së frikshme Huyton Firm në EncroChat, e cila tashmë është dekriptuar.
Mesazhet, të zbuluara gjatë një procesi gjyqësor, tregojnë vëllezërit duke diskutuar mundësinë për të punuar me një trafikant shqiptar me bazë në Marbella.
Vincent i thotë Francis se një “djalë i ri” i kishte ofruar partneritet, por Francis përgjigjet se “nuk ishin të interesuar”, duke sugjeruar në vend të kësaj një kontakt tjetër nga bota e krimit.
“Po, të lodhin shumë albot,” shkruan Vincent. “I thashë që nuk ishim të interesuar, por i lidhëm me dikë tjetër”.
Një burrë nga Liverpuli me njohuri për tregun e drogës tha se kjo bisedë pasqyron qëndrimin e përgjithshëm mes bosëve të bandave në qytet.
“Ja ku e keni – ata nuk duan të punojnë me shqiptarët, por kjo është në nivelin e shumicës, kështu që biseda është korrekte dhe mjaft e sjellshme”, i tha ai Daily Mail.
“Në këtë nivel, firma të ndryshme lëvizin para dhe ndajnë informacion e burime. Por nëse vëllezërit Coggins do të dëgjonin se shqiptarët donin të hynin në tregun me pakicë në Merseyside, biseda do të kishte qenë shumë ndryshe. Do të kishte luftë”.
Francis shkruan në një mesazh tjetër: “Qyteti është i imi ose vdes”.
Burimi i Daily Mail shtoi: “Francis është shumë i qartë se kush sundon Liverpulin, dhe nuk janë shqiptarët”.
Bandat shqiptare besohet se kanë marrë kontrollin e tregut britanik të kokainës, me vlerë 5 miliardë paund në vit, duke negociuar direkt me kartelet kolumbiane dhe duke konkurruar me çmime shumë më të ulëta kundër rivalëve kriminalë.
Një nga emrat kryesorë është Dritan Rexhepi, i njohur si “Mbreti i Kokainës”, i cili u ekstradua në Shqipëri më në fund në janar, pas 27 vitesh arratisje.
Ekspertët shpjegojnë këtë fenomen me faktin që shqiptarët e kanë të vështirë të “përzihen” në Liverpul siç bëjnë në Londër apo Birmingem, si dhe për shkak të rrezikut nga kundërpërgjigjet e dhunshme nëse do përpiqeshin të hynin me forcë në tregun lokal.
Burimi nga Liverpuli tha: “Nëse ke portin, ke qytetin. Nëse shqiptarët duan të bëjnë lëvizje, duhet të marrin kontrollin e portit. Por kjo nuk po ndodh për momentin”.
Një ish-trafikant i kokainës nga Liverpool po ashtu vuri në dukje rëndësinë e kontrollit të portit për bandat e drogës:
“Tregu i drogës të klasit A në Liverpul dominohet nga grupet nga Huyton, Speke dhe Vauxhall. Ata kanë shokë në Portin e Liverpulit, që u jep kontroll mbi atë që hyn në qytet. Ata nuk do t’i lejojnë shqiptarët në tregun e tyre”.
Edhe pse jo e gjithë droga hyn në Liverpul përmes transportit detar — shumë prej saj vjen me aeroplanë ose anije të vogla — ndikimi mbi portin padyshim ka ndihmuar ngritjen e grupeve si Huyton Firm.
Top Channel