
Qeveria greke ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të ndeshjeve finale të ligës greke të basketbollit mes Panathinaikos dhe Olympiakos, pas incidenteve të ndodhura në pallatin e sportit në Pire, para dhe pas ndeshjes së fundit.
Kësaj here, incidentet kanë në qendër vetë pronarët e dy ekipeve kryesuese në këtë ligë. Seria e të ashtuquajturave play-offs është aktualisht në rezultatin 1-1 dhe ndeshja e tretë, e planifikuar për të mërkurën, është shtyrë.
Presidentët, njëkohësisht pronarë të dy klubeve të njohura, janë thirrur për t’u takuar me ministrin e Sportit të vendit deri të mërkurën në orën 15:00. Në postime online, në fillim përjashtuan mundësinë e pjesëmarrjes në këtë takim, duke lënë në dyshim fatin e ultimatumit qeveritar, ndërsa sot presidenti i Panathinaikos është pozicionuar pozitivisht.
“Thirren për një takim me Zëvendësministrin e Sportit, Giannis Vroutsis, pronarët e dy klubeve të basketbollit në Ministrinë e Arsimit, Fesë dhe Sportit, me qëllim që të jepen garanci të qarta se kjo situatë do të marrë fund. Në të kundërt, kampionati i këtij viti do të ndërpritet përfundimisht”, u shpreh zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis.
Presidenti dhe pronari i ekipit Panathinaikos, Dhimitrios Gianakoulos, është parë të hyjë me forcë bashkë me truprojat e tij në ambientet e pallatit të sportit para fillimit të ndeshjes së dytë dhe më pas në terrenin sportiv, duke kërcënuar gjyqtarët që të ndërprisnin ndeshjen sepse tifozët e Olympiakosit hidhnin sharje dhe kërcënime ndaj familjes së tij.
Shumë video në mediat sociale pasqyrojnë këto çaste, por edhe sharjet e tij ndaj tifozëve kundërshtarë dhe kërcënimet ndaj dy vëllezërve presidentë të ekipit kundërshtar, Olympiakosit. Të dy klubet e Athinës kanë një rivalitet të gjatë dhe shpesh të dhunshëm, që shtrihet në basketboll, futboll dhe sporte të tjera.
Trazirat e fundit ndodhën pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të frenuar dhunën e lidhur me sportin, ku shpesh ka pasur edhe viktima – përfshirë sistemet e mbikëqyrjes në stadiume dhe biletimin e detyrueshëm të lidhur me kartat e identitetit.
Olympiakos dhe Panathinaikos morën pjesë muajin e kaluar në Final Four të EuroLeague në Abu Dhabi, duke u renditur përkatësisht në vendin e tretë dhe të katërt, ndërsa prej vitesh janë në majën e basketbollit europian.
Organet greke kanë frikë se tensioni i krijuar mes presidentëve të ekipeve mund të shkaktojë incidente të dhunshme mes tifozëve fanatikë.
Top Channel