Numri 1 i Milanit larg kuqezinjve, Mike Maignan pranë transferimit të bujshëm në Premier League

03/06/2025 14:05

Chelsea ka bërë një lëvizje zyrtare drejt AC Milan për të siguruar shërbimet e portierit francez Mike Maignan.

Lajmi vjen nga analisti i besueshëm i merkatos, Fabrizio Romano, i cili raportoi se klubi londinez tashmë ka kontaktuar Milanin në lidhje me transferimin e mundshëm të gardianit 28-vjeçar.

Sipas Romanos, Maignan ka qenë prej kohësh në listën e preferencave të Chelsea-s për të zëvendësuar pozicionin e portierit titullar, dhe klubi anglez është i vetëdijshëm për faktin se lojtari ende nuk ka rinovuar kontratën me Milanin.

Negociatat mes klubeve janë duke u zhvilluar, por vendimi final i përket “Rossonerëve”, të cilët nuk janë të prirur ta humbasin një nga pikat më të forta të skuadrës së tyre.

Mike Maignan, që u bashkua me Milanin në vitin 2021 nga Lille, ka qenë një nga portierët më të dalluar në Serie A dhe një element kyç në sukseset e ekipit italian në vitet e fundit.

Rinovimi i kontratës së tij me Milanin ka mbetur pezull, çka ka shtuar interesin nga disa klube të mëdha europiane – por Chelsea duket se ka marrë iniciativën e parë konkrete.

 

Top Channel