
Qeveria britanike ka paralajmëruar se është e gatshme të padisë ish-pronarin e klubit Chelsea, Roman Abramovich, për të siguruar që 2.5 miliardë paund nga shitja e klubit të përfundojnë si ndihmë humanitare për Ukrainën.
Paratë, që nga shitja e klubit në vitin 2022, janë bllokuar në një llogari bankare në Mbretërinë e Bashkuar, pasi Abramovich u sanksionua nga autoritetet britanike për shkak të lidhjeve të tij të dyshuara me Kremlinin dhe presidentin rus Vladimir Putin – akuza që ai i ka mohuar.
Sipas një deklarate të përbashkët nga Kancelarja Rachel Reeves dhe Sekretari i Jashtëm David Lammy, qeveria synon të përdorë fondet për të ndihmuar njerëzit që vuajnë në Ukrainë si pasojë e pushtimit të plotë rus.
“Ndërsa dera për negociata do të mbetet e hapur, ne jemi plotësisht të përgatitur ta ndjekim këtë çështje përmes gjykatave nëse është e nevojshme,” thanë zyrtarët e lartë.
Qeveria britanike është shprehur e zhgënjyer nga mungesa e një marrëveshjeje me Abramovich për përdorimin e fondeve, të cilat janë ngrirë por teknikisht mbeten në pronësi të tij. Mosmarrëveshja thelbësore qëndron në destinacionin e këtyre parave: Abramovich ka kërkuar që ato të përdoren për “të gjitha viktimat e luftës në Ukrainë”, përfshirë edhe rusët, ndërsa qeveria britanike këmbëngul që fondet të shkojnë vetëm për ndihmë humanitare brenda territorit ukrainas.
Kur njoftoi vendimin për të shitur Chelsean në 2022, miliarderi rus theksoi se nuk do të përfitonte asnjë qindarkë nga shitja dhe se paratë do të dhuroheshin për të ndihmuar viktimat e luftës përmes një fondacioni të posaçëm. Megjithatë, deri më sot, kjo nuk është konkretizuar.
Një raport i Dhomës së Lordëve vitin e kaluar e quajti situatën “të pakuptueshme” dhe theksoi se bllokimi i fondeve reflekton keq si te Abramovich, ashtu edhe te qeveria, që nuk ka arritur të sigurojë një zgjidhje të qartë.
Me rritjen e presionit diplomatik dhe publik, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duket e vendosur ta çojë çështjen në gjykatë, nëse nuk arrihet një zgjidhje e pranueshme për destinacionin e fondeve.
Top Channel