Nën trysninë e NATO-s dhe SHBA-së, Britania drejt rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen

03/06/2025 16:38

Mbretëria e Bashkuar pritet të angazhohet këtë muaj për një rritje të ndjeshme të shpenzimeve ushtarake, duke synuar që ato të arrijnë në 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035.

Sipas burimeve të Sky News, ky hap vjen si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët të NATO-s për të forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe për të ruajtur mbështetjen strategjike të Shteteve të Bashkuara.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur në Ministrinë britanike të Mbrojtjes ka pasiguri mbi mënyrën se si do të përshkruhet ky objektiv — si një ambicie apo si një angazhim i qeverisë së ardhshme të udhëhequr nga Sir Keir Starmer. Ndryshimi i mundshëm i kursit shihet si i pashmangshëm, ndërsa qeveria britanike përballet me presione për të balancuar buxhetin mes nevojave ushtarake dhe atyre sociale.

Burime pranë qeverisë bëjnë me dije se Starmer pritet të marrë një vendim zyrtar që sot, ndërsa diskutimet brenda kabinetit janë intensifikuar.

Përveç rritjes së drejtpërdrejtë të buxhetit të mbrojtjes, Britania mund të detyrohet të ndajë edhe 1.5% të PBB-së për sektorë të lidhur me sigurinë kombëtare, siç janë shërbimet e inteligjencës dhe infrastruktura strategjike – duke përfshirë rrugët, hekurudhat dhe aeroportet, të nevojshme për një vendosje të shpejtë të trupave.

Në total, kjo do ta çonte nivelin e përgjithshëm të shpenzimeve të lidhura me mbrojtjen në 5% të PBB-së – një objektiv që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, synon ta zyrtarizojë në një samit kyç që do të mbahet këtë muaj në Holandë.

Top Channel