
Diplomën e gjimnazit është i vendosur që ta marrë, edhe pse në pension.
Maturanti më i veçantë në provimin e parë të maturës këtë vit është Skënder Cena.
“Po jap për herë të dytë anglishten. Kam besim që do ta marr 6 që ta kaloj. Dhe jashtë mase kam dëshirë të vazhdoj universitetin”, shprehet Cena.
Aksidenti në rini, në hidrocentralin e Fierzës, i mori pjesërisht shikimin dhe u bë pengesa e parë për vazhdimin e shkollimit, mes shumë vështirësive ekonomike. Mirëpo, kur ishte 64 vjeç, iu rikthye mësimit në shkollën profesionale në Kamëz, por mosha nuk e favorizoi në provimet e maturës.
Në atë kohë, anglishtja e sfidoi me rezultat jo kalues, që Skënderi beson se nuk do të jetë i tillë në përpjekjen e tanishme, të dytë, për ta dhënë provimin. Ndonëse nuk i kanë shpëtuar syve kureshtarë e ndonjëherë paragjykues: “Me thënë të drejtën, mësuesit dhe sekretarja më kanë pritur shumë mirë. Nxënësit menduan se isha profesor…”
Ëndrra e Skënderit për t’u arsimuar është bërë e mundur edhe falë përkrahjes së familjarëve.
“Unë jam gjysh, kam fëmijë, mbesa. Edhe më mbështesin. Por dua t’i them rinisë që, kur s’kam sytë, e dua dijen… Jo më ata me gjithë mundësitë dhe nuk mësojnë.”
Top Channel