
Janë publikuar pamje të momentit kur autoritetet shqiptare dhe finlandeze goditën një rrjet të gjerë trafiku ndërkombëtar droge me bazë në Shqipëri dhe veprimtari në Finlandë.
Në video shihen anëtarët e grupit kriminal teksa vendosen në pranga gjatë operacionit të zhvilluar në orët e para të mëngjesit, një aksion i përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze.
SPAK ka lëshuar 11 urdhër-arreste në kuadër të këtij hetimi, nga të cilat janë ekzekutuar 9. Një prej të dyshuarve ndodhet në kërkim brenda territorit shqiptar, ndërsa një tjetër nuk gjendet aktualisht në vend dhe po bashkëpunohet me autoritetet partnere për lokalizimin e tij jashtë Shqipërisë.
Në operacion u angazhuan rreth 110 punonjës të Policisë së Shtetit, ndërsa janë sekuestruar materiale dhe prova që do t’i shërbejnë vijimit të hetimeve, përfshirë hetimet në drejtim të pasurive të dyshimta.
Autoritetet theksojnë se ky është një ndër operacionet më të rëndësishme kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike që është zhvilluar në bashkëpunim me partnerët evropianë.
Top Channel