Çanta, makina luksoze dhe udhëtime me helikopter privat/ Si protestat e çuan Mongolinë në një krizë politike dhe shkaktuan dorëheqjen e kryeministrit?

03/06/2025 22:30

Mongolia është përfshirë nga një krizë politike pas dorëheqjes së kryeministrit Oyun-Erdene Luvsannamsrai, i cili humbi votëbesimin në parlament, pas disa javësh protestash të ndezura nga stili ekstravagant i jetesës së familjes së tij.

Dhjetëra të rinj kanë pushtuar prej javësh sheshin qendror të kryeqytetit Ulaanbaatar, duke kërkuar llogari për pasurinë e paqartë të djalit të kryeministrit, i cili është shfaqur në rrjetet sociale duke udhëtuar me helikopter privat, duke bërë propozime luksoze për fejesë, dhe duke ekspozuar automjete të shtrenjta dhe aksesorë firmato.

Kjo është një shuplakë për qytetarin mesatar mongol”, tha Amina, 28 vjeç, pjesë e grupit protestues “Ogtsroh Amarhan” (Dorëheqja është e Lehtë), e cila theksoi se protesta nuk ka të bëjë vetëm me një postim në Instagram, por me një shkëputje gjithnjë e më të thellë mes elitës dhe popullit të zakonshëm.

Nga pretendimi për origjinë të përulur, në jetë luksi dhe zemërim popullor

Oyun-Erdene kishte ndërtuar imazhin e një lideri që vinte nga një familje e varfër rurale, por shfaqjet e pasurisë së djalit të tij minuan besimin e publikut, sidomos në një kohë kur kostoja e jetesës në Mongoli është rritur ndjeshëm.

Shumë njerëz paguajnë gjysmën e të ardhurave të tyre në taksa, dhe mezi mbulojnë ushqimin apo qiranë. Shumica nuk jetojnë më nga paga në pagë, por nga borxhi në borxh”, tha Amina.

Protesta të përditshme dhe thirrje për transparencë

Qytetarë të thjeshtë, shumica të rinj, janë mbledhur çdo ditë përpara Pallatit të Qeverisë, duke kërkuar transparencë mbi të ardhurat dhe pasurinë e kryeministrit, por zyra e tij i ka quajtur akuzat “tërësisht të pabazuara”.

Sipas një deklarate zyrtare, kryeministri ka dorëzuar deklaratat financiare çdo vit në përputhje me ligjin mongol.

Korrupsioni, plagë e vjetër e demokracisë mongole

Kjo nuk është hera e parë që qytetarët e Mongolisë dalin në rrugë për të protestuar kundër korrupsionit të përhapur në nivele të larta. Në vitin 2022, një tjetër protestë masive shpërtheu për shkak të një skandali që përfshinte përvetësimin e qymyrit me vlerë miliarda dollarë që ishte destinuar për eksport në Kinë.

Edhe pse nuk ka ende prova për përfshirjen direkte të Oyun-Erdene në korrupsion, mosbesimi ndaj klasës politike mbetet i thellë, veçanërisht në një vend të vogël demokratik, të rrethuar nga gjigantët autoritarë – Kina dhe Rusia.

Top Channel