
Shkalla e papunësisë në Eurozonë ra në 6.2% në prill, nga 6.3% në muajin mars, duke arritur kështu një nga nivelet më të ulëta historike, të njëjtë me atë të regjistruar në dhjetor të vitit 2024.
Të dhënat zyrtare janë publikuar nga Eurostat, agjencia statistikore e Bashkimit Evropian.
Sipas raportit, kjo rënie vjen si rezultat i uljes së çmimeve të energjisë dhe inputeve të ndërmjetme, së bashku me stabilizimin e inflacionit, elementë që kanë ndihmuar kompanitë të ruajnë likuiditetin dhe të shmangin pushimet nga puna.
Për më tepër, procesi i tranzicionit të gjelbër dhe dixhitalizimi kanë ndikuar pozitivisht në hapjen e vendeve të reja të punës, duke kontribuar në uljen e normës së papunësisë.
Në total, numri i të papunëve në Eurozonë zbriti me 207 mijë persona krahasuar me muajin e kaluar, duke arritur në 10.7 milionë. Në nivel të Bashkimit Evropian, numri i të papunëve ra në 12.9 milionë, një rënie prej 188 mijë personash krahasuar me muajin mars.
Papunësia e të rinjve gjithashtu në rënie
Pozitive janë edhe shifrat për papunësinë e të rinjve nën 25 vjeç, e cila ra në 14.4% në prill, nga 14.8% në mars, duke shënuar nivelin më të ulët të katër muajve të fundit.
Gjermania dhe Holanda me normat më të ulëta, Spanja vijon të kryesojë listën e papunësisë
Nga shtetet anëtare të Eurozonës, Gjermania regjistroi një nga normat më të ulëta të papunësisë, me vetëm 3.6%, ndjekur nga Holanda me 3.8%.
Në anën tjetër të spektrit, Spanja vijon të ketë një nga normat më të larta të papunësisë me 10.9%, ndërsa Italia regjistroi një normë prej 5.9% dhe Franca 7.1%.
Ekspertët presin që trendi pozitiv të vazhdojë në muajt në vijim, nëse rritja ekonomike dhe stabiliteti makroekonomik do të mbahen të qëndrueshëm në gjithë zonën euro.
Top Channel