
Nga Shqipëria në Zimbabve, gazeta amerikane The New York Times ka përmbledhur importet nga të cilat SHBA-të mbështeten më shumë.
Janë 140 vende, ku tarifat e herëpashershme të presidentit Trump kanë krijuar pasiguri të thellë në lidhje me koston e mallrave të importuara – dhe nuk është gjithmonë e qartë se cilat mallra do të preken më shumë. Importet më të mëdha të SHBA-së nga shumë shtete janë nafta dhe gazi, elektronika, makinat dhe produktet farmaceutike.
Por, ka një mënyrë tjetër për të parë se çfarë importojnë amerikanët: duke u përpjekur të matet kontributi i dallueshëm i një vendi në nevojat totale të SHBA-së. Sipas New York Times, eksportet më të mëdha të Kinës në SHBA, sipas vlerës së dollarit, janë ato elektronike.
Por, SHBA-të importojnë gjithashtu sasi të mëdha paisjesh të tilla edhe nga vende të tjera. Megjithatë, gati 100 për qind e karrocave të foshnjave të importuara vijnë nga Kina. Ndërkohë, Zvicra është përgjegjëse për pothuajse të gjitha orët e importuara me metale të çmuara. Etiopia, nga ana tjetër, i dërgon SHBA-së rreth 2 për qind të rrobave të thurura për foshnjet.
Në listën e New York Times, renditet edhe Shqipëria, me nivelin e importeve në SHBA të 3% të materialeve për përpunimin e hekurit. Në vitin 2024, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës realizuan shkëmbime tregtare me vlerë rreth 270 milionë euro. Nga kjo shumë, eksportet shqiptare drejt SHBA-së arritën në rreth 7 miliardë lekë, afërsisht 1.9% të totalit të eksporteve të vendit. Mallrat kryesore të eksportuara nga Shqipëria drejt SHBA-së në 2024 përfshijnë materialet e ndërtimit dhe metalet, bimët aromatike dhe mjekësore, produktet e drurit dhe ato ushqimore.
Top Channel