Saga e vrasjeve për hakmarrje në Lezhë, gazetarja Bezat në Top Story: Ja mesazhi që lanë autorët kur ekzekutuan Pjetër Kazën në derën e banesës

02/06/2025 21:48

Gazetarja Dorjana Bezat ka dhënë një panoramë të sagës së vrasjeve mes familjes Kaza dhe Gjoni.

Pjesë e panelit të emisionit Top Story në Top Channel, ajo u shpreh se fakti që Pjetër Kaza u vra në derën e shtëpisë së tij tregon që kjo ngjarje lidhet me pistën e hakmarrjes, ku 57-vjeçari është viktima e pestë.

”Vrasja në Lezhë është një tregues që kanë dështuar disa kode qoftë sociale, kanunore dhe hetimit. Zanafillën e ka në vitin 1994 dhe sot flasim për një person që ka qenë i pafajshëm, më 7 janar 1994 Ndue Kaza vëllai i viktimës së Pjetrit, ka qenë një person i arsimuar, por për shkak të kushteve ai u vesh si polic, bëri një kurs siç ka qenë në atë vite por arsimimin e kishte si mësues matematike. Në një nga kontrollet u ndesh me dy persona të armatosur dhe ata e qëlluan.

Më pas vëllai i tij kreu vrasjen e personave që i kishin vrarë vëllain. Ngjarja u përsërit në 2004 kur Kanuni vrau edhe jashtë territorit në Belgjikë ku u vra vëllai tjetër i Pjetrit dhe nipi i viktimës së vitit 1994, dy viktima me dy viktima, do ishte mbyllur me një vrasje. Por Pjetër Kaza u vra në derën e banesës, autorët mund të kishin shumë hapësira për eliminimin se ai ishte kthyer nga puna, por ky ishte një mesazh që ata kanë dashur të përcjellin, policia i ka orientuar hetimet drejt kësaj piste, se ai nuk kishte konflikte të tjera.

Nga komunikimet që kam pasur me familjen Kaza, nga familja Gjini ka pasur tentativa për pajtim, se në ’94-ën u vra nga një pakujdesi dhe ata nuk qëlluan ndaj familjes Kaza por ndaj uniformës së policisë, se ishin ndjerë të kërcënuar”, tha Bezat.

Pjetër Kaza, është zbuluar pa shenja jete rreth orës 05:00 të datës 1 qershor, nga bashkëshortja.

Pjetër Kaza punonte në minierën e Spaçit dhe sipas të dhënave, ishte kthyer në banesë rreth orës 01:00 pas mesnate.

Dyshohet se vrasja e tij lidhet me një zinxhir të gjatë hakmarrjesh, që zanafillën e ka në vitin 1994, me vrasjen e Ndue Kazës, ish-shef i krimeve në qytetin e Rrëshenit.

Ndue Kaza u vra më 7 janar të vitit 1994 në mes të qytetit të Rrëshenit. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje ishin vëllezërit Dod dhe Augustin Gjini, të cilët u arratisën pas krimit. Tre vite më pas, në vitin 1997, Martin Kaza, vëllai i viktimës, ekzekutoi për hakmarrje vëllezërit Gjini në qytetin e Laçit, për çka u dënua me 22 vite burg.

Konflikti nuk u mbyll me kaq. Më 28 prill 2024, në Belgjikë, u vra një tjetër anëtar i familjes Kaza, Agustin Kaza, vëllai i Pjetrit. Ai u qëllua për vdekje në një lokal shqiptarësh në Bruksel, ku autorët e goditën disa herë në kokë dhe kraharor.

Pjetër Kaza është viktima e tretë në familjen Kaza në kuadër të këtij konflikti, i cili duket se vijon prej më shumë se tri dekadash. Hetimet e prokurorisë janë përqendruar në pistën e gjakmarrjes, ndërsa policia po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Top Channel