
Në lartësitë e egra të veriut, mbi 800 metra mbi nivelin e detit, rritet një nga bimët më të rralla dhe më të çmuara të natyrës shqiptare, Gentiana Lutea.
E njohur si “luani i zemrës”, ajo përdoret në kurat natyrore për zemrën, aneminë dhe tretjen. Legjenda thotë se në shekullin III para erës sonë, kjo bimë i shpëtoi jetën mbretit ilir Gent.
Por pas viteve ’90, gjithçka ndryshoi. Shkulja masive me rrënjë, për tregti të paligjshme, e bëri Gentianën të zhdukej nga natyra.
“Pas viteve ’90 filluan shkuljet e egra. U shkatërrua një nga thesaret më të çmuar të bimësisë mjekësore”, tha agronomi Agim Noka.
Në këtë sfond, një burrë i thjeshtë, Agim Noka, agronom 68-vjeçar nga Kukësi vendosi të mos dorëzohet. Prej 25 vitesh ai kultivon Gentianën në tokat e tij dhe në parkun natyror Korab-Koritnik-Kallabak.
“E kam mbjellë dhe ruajtur për më shumë se dy dekada, sepse kjo bimë është e rëndësishme për natyrën dhe shëndetin tonë.”
Në park nuk ka mbetur asnjë rrënjë e egër. Të gjitha bimët që shihen janë të mbjella nga vetë zoti Noka. Mbjellja e Gentianës kërkon kujdes të veçantë: fara ngjizet vetëm në temperatura të ulëta, nga 5 deri në 8 gradë, dhe mbillet në fund të vjeshtës ose dimrit. Duhet 4–6 vjet që të zhvillojë rrënjë të përdorshme.
Në Shqipëri, pak persona e kultivojnë profesionalisht – Agim Noka është një prej tyre dhe një rast unik.
“Këtë bimë është gjynah që ta zhdukim… Është shënuar në Librin e Kuq të Zhdukjes, o njerëz, o vllazën!”
Një thirrje që shkon përtej një bime – është thirrje për kujtesë, ndërgjegje dhe respekt ndaj natyrës që po na flet, përmes heshtjes së zhdukjes.
Top Channel