Lufta Ukrainë-Rusi, delegacioni ukrainas dhe ai rus mbërrijnë në Stamboll për raundin e dytë të negociatave

02/06/2025 12:47

Delegacioni rus i udhëhequr nga Vladimir Medinsky ka mbërritur në vendin në qendër të Stambollit ku është planifikuar të fillojë raundi i dytë i negociatave midis Moskës dhe Kievit.

Pala ruse nuk do të bëjë asnjë deklaratë para bisedimeve, pasi një burim diplomatik rus që i tha agjencisë Tass se një njoftim përkatës do të bëhet pasi ato të përfundojnë.

Pak para orës 13:00, ukrainasit mbërritën në Pallatin Chirag, të udhëhequr nga Ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov. Delegacioni ukrainas përfshin gjithashtu zëvendësministrin e Parë të Jashtëm, Sergei Kyslitsa, zëvendësdrejtorin e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës Oleksandr Poklad dhe zëvendësdrejtorin e Parë të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, Oleg Lugovsky.

Kreu i shërbimeve të inteligjencës turke, Ibrahim Kalin, gjithashtu mbërriti në vendngjarje dhe do të monitorojë negociatat, ndërsa ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, do të kryesojë takimin.

Në të njëjtën kohë, Volodymyr Zelensky, i cili ndodhet në Vilnius të Lituanisë për samitin e NATO-s, theksoi se pala ukrainase do të këmbëngulë për një armëpushim pa kushte, diskutim të çështjeve humanitare, kthimin e fëmijëve dhe shkëmbimin e të burgosurve.

“Do të shtoj gjithashtu se delegacioni ukrainas është aktualisht në Stamboll. Pata një bisedë me ministrin e Mbrojtjes. Ai tha se po përgatiten për një takim. Nuk jam i sigurt nëse Rusia do të jetë gati për ndonjë diskutim produktiv, por ne do të këmbëngulim për një armëpushim pa kushte, diskutim të çështjeve humanitare, kthim të fëmijëve dhe shkëmbim të të burgosurve”, tha ai.

Ukraina thotë se është gati të ndërmarrë “hapa të rëndësishëm për paqen”

“Delegacioni ukrainas mbërriti në Stamboll me një program të qartë dhe vullnetin për të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për paqen”, tha një anëtar i delegacionit për AFP.

“Nëse rusët janë të gatshëm të ecin përpara dhe të mos përsërisin të njëjtat ultimatume, atëherë mund të ketë lajme të mira dhe të rëndësishme sot”, shtoi ai.

I njëjti burim tha se ukrainasit nuk e dinë se çfarë kanë sjellë rusët në tryezën e negociatave, sepse nuk e kanë bërë të ditur qëndrimin e tyre për ne, Turqinë ose Shtetet e Bashkuara.

“Para takimit me delegacionin rus, anëtarët e delegacionit ukrainas u takuan me përfaqësues të Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për të koordinuar qëndrimet e tyre”, njoftoi diplomacia ukrainase.

Top Channel