
Në Gjirokastër është mbajtur edicioni i katërt i “Qilim Fest”, një event që ktheu pazarin karakteristik të qytetit në një hapësirë shumëngjyrëshe, ku motivet tradicionale dhe mjeshtëria artizanale u ndërthurën për të sjellë një përvojë të gjallë për vizitorët dhe vendasit.
Ky ishte një aktivitet interaktiv, ku tradita jo vetëm u ekspozua, por u përjetua , sidomos nga fëmijët që morën pjesë në kënde të posaçme për të mësuar rreth punimit të leshit, tjerrjes dhe endjes në tezgjah.
“Është i disati vit që organizohet ky aktivitet. Pjesëmarrja e fëmijëve ka qenë shumë e bukur, ata po endin diçka në formën e lojës, e pse jo një miniqilim që duket i madh mes duarve të vogla”, tha Eli Zhulati, artizane.
Në qilimat e Gjirokastrës gjenden motive të pasura me simbolikë lokale, si zogu i gurit, pëllumbi, rombet që kujtojnë kalldrëmet, gjethet e rrushit, shega, lulet vendase dhe figurat gjeometrike. Motivet janë gjithashtu rrëfime të endura në fijet e leshit, që përcjellin identitet, histori dhe përkatësi.
Një prind pjesëmarrës, që kishte sjellë fëmijën e tij për të marrë pjesë në eksperiencën e endjes u shpreh:
“Është mirë që fëmijët të mësojnë traditën. Prindërit tanë i kanë bërë qilimat kur kanë qenë në këtë moshë. Në këtë kontradiktën me teknologjinë është shumë e bukur e me interes. Kanë ardhur me dëshirë dhe po e bëjnë me qejf. Është vlerë e shtuar për qytetin.”
Përgjatë ditëve të festivalit, shumë qilima u shitën në pazar. Punime me motive të rralla, disa qindravjeçare, pjesë e koleksioneve të familjeve të zonës, qëndronin pranë produkteve të fabrikuara jashtë Shqipërisë , një kontrast që, për shumë artizanë, ngre shqetësim.
“Ne kemi krijuar disa eksperienca në pazar, si kjo me fëmijët që udhëhiqen nga mjeshtra të traditës. Ka edhe dy eksperienca të tjera gjatë rrugës për në kala që turistët mund t’i shijojnë. Synojmë të rrisim vizibilitetin e zejeve dhe artizanatit”, tha Bjori Thana.
Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe Moza, një prodhuese lokale që solli produkte me bazë natyrale. Ajo u shpreh:
“Unë kam marrë pjesë me të gjitha produktet , me likotë, me fruta që i mbledhim vetë. Këtë vit kam sjellë risi, likerin e shtogut. Sezoni ka filluar dhe tani në Gjirokastër fliten të gjitha gjuhët e botës. Ka shumë interes edhe për këtë event.”
“Qilim Fest” është kthyer në një platformë të rëndësishme për të promovuar artizanatin dhe për të forcuar lidhjen mes brezave, duke e bërë trashëgiminë të dukshme dhe të prekshme , jo vetëm për vendasit, por edhe për vizitorët që kërkojnë autenticitetin në zemër të Gjirokastrës.
Top Channel