Turizmi kulturor në Durrës! Në pesë muajt e parë, mbi 13 mijë vizitorë në monumentet historike të qytetit

01/06/2025 12:12

Vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti, monumentet historike të Durrësit kanë pritur mbi 13 mijë vizitorë, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Amfiteatri Antik, perla e arkeologjisë shqiptare dhe simboli antik i qytetit, vijon të tërheqë vëmendjen më të madhe. Një tjetër pikë referimi për turistët është edhe Torra Veneciane, që ndodhet pranë portit dhe ruan gjurmë të rëndësishme të trashëgimisë mesjetare.

Disa prej tuyristëve shprehen për Top Channel:

-Jemi turistë nga Polonia. Dita e parë dhe presim ta shijojmë.

-Është një vend me natyrë të bukur dhe histori. Malet janë spektakolare. Shumë gjelbërim. Ka shumë vende në botë për t’u vizituar, po Shqipëria padyshim që duhet të shihet, të paktën njëherë në jetë.

-Jemi një grup nga Holanda. Më pëlqejnë objektet historike, po edhe ushqimi i mirë. Kaluam bukur e sot do të kthehemi në Amsterdam.

-Shqipëria është një surprizë e madhe për të cilën duhet të na kishin treguar më parë.

-Është më mirë se ç’e prisnim dhe katër ditë janë pak për ta vizituar.

Me ofertën turistike dhe trashëgiminë e pasur arkeologjike dhe historike, Durrësi po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turistët europianë, të cilët shprehin jo vetëm kënaqësinë për natyrën dhe monumentet, por edhe për mikpritjen dhe atmosferën pozitive që gjejnë në Shqipëri.

Top Channel