Pogradeci çel sezonin turistik! Janë mbi 40 hotele dhe bujtina që presin vizitorë, rritet interesi i të huajve

01/06/2025 12:18

Mes sporteve ujore, punimeve artizanale, gatimeve të traditës, tingujve muzikorë dhe krijimeve artistike, Pogradeci ka çelur sezonin turistik veror. Pjesëmarrësit e panairit që ekspozoi larminë e traditës pogradecare buzë liqenit të Ohrit, tregojnë se produktet e tyre mbeten të preferuara për vizitorët.

Në shëtitoren e mbushur plot, banorët e zonës, por edhe pushuesit vendas dhe të huaj, shijuan atmosferën festive të krijuar dhe peizazhin piktoresk.

“Kemi këtu vetëm një natë.  Jemi nga Gjermania, erdhëm me traget deri në Durrës dhe më pas këtu me biçikletë. Do të qëndrojmë dy javë në Shqipëri dhe kemi vetëm një natë në Pogradec. Po shohim panairin këtu dhe produktet tradicionale, sapo kemi arritur dhe nuk kemi parë shumë”, u shpreh një turiste .

“Unë vij nga Austria, në fakt jemi për te dytin vit radhazi në Shqipëri. Është një vend i mrekullueshëm sidomos liqeni është fantastik. Na pëlqejnë malet që e rrethojnë qytetin dhe vet qyteti është shume i bukur, madje sot është një festival dhe ne po e shijojmë shumë”, tha një tjetër turist.

“Është një shtet shumë i bukur dhe ne vërtetë na pëlqen mirësia e njerëzve këtu. Kemi provuar ushqimin dhe çdo gjë është shume e bukur. Ne do te qëndrojmë në Pogradec për 2 ditë”, tha një tjetër.

“Unë jam nga Gjermania dhe jam këtu për 1 muaj tani për të diskutuar me një guide partnere disa ide për bashkëpunim. Sot jam shume i kënaqur me çfarë po shikoj duket shume bukur. Qyteti është shumë i bukur, njerëzit janë shumë miqësor, ata më ftojnë gjithmonë për të diskutuar”, pohoi një turist.

Për kryebashkiakun e Pogradecit pritshmëritë për këtë sezon janë të larta pasi jo vetëm qyteti liqenor por të gjitha bashkitë e juglindjes kanë unifikuar kalendarin veror dhe pasuruar ofertën turistike

“Në Pogradec aktualisht janë 40 hotele dhe bujtina që presin vizitorë, por interesi i lartë i turistëve ka rritur nevojën për kapacitete të tjera pritëse”, tha kryebashkiaku Ilir Xhakolli.

Top Channel