Ekskluzive/ Dëbimi shqiptarëve, Home Office biletë falas Angli-Rinas me avionë special, publikohen pamjet 

01/06/2025 12:07

Home Office Ministria e Punëve të brendshme angleze vijon dëbimet e përjavshme të shtetasve shqiptarë pa leje qëndrimi në shtetin ishull.

Të vetmet pamje deri më tani të procesit të dëbimit janë këto,  filmuar nga Top Channel dy vite më parë, të avionit të posaçëm që sjell të dëbuarit shqiptarë.

Nga Home Office, Top Channel ka siguruar këtë video e gjatë 33 sekonda ku tregohet se çfarë ndodh me të dëbuarit.

Pasi zbresin nga avioni ata hipin në këtë autobuz i cili i çon në rajonin e policisë të Rinasit, ndërtuar me donacionet e qeverisë angleze.

Të dëbuarit të gjithë djem në moshë të rem, mundohen të fshehin fytyrën pasi kanë parë që janë duke u filmuar.

Një e nga një ata intervistohen nga oficerët shqiptarë dhe britanikë të task-forcës së përbashkët kundra emigracionit të jashtëligjshëm,  e cila udhëhiqet nga Departamenti Kufirit dhe Migracionit bashkë me Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Çdo i dëbuari nga Anglia regjistrohet në sistemin TIMS me shënimet përkatëse të arsyes së kthimit.

Sipas rastit disa prej tyre u  ndalohet futja në zonën Shengen pasi kanë thyer rregullat duke përdorur territorin europian për kalim ilegal në Angli.

Top Channel mëson se të dëbuarit janë të tre kategorive. Ata të cilët kanë përfunduar dënimet për vepra të ndryshme penale.

Grupi tjetër janë atë të cilët kapen në vendet e punës pa leje qëndrimi, pra në të zezë. Dhe grupi i fundit janë ata të cilët mbërrijnë me gomone dhe në mënyrë atomatike u refuzohet azili, duke u dërguar në kampe e më pas u pritet bileta e dëbimit.

Historia e mbërritjes së shqiptarëve nga Franca në Angli me gomone nuk është një kapitull tërësisht i mbyllur.

Falë çmimit të ulët në 2022 mbërritën me gomone mbi 12.000 shqiptarë dhe një vit më pas 940.

Shifrat e 2024 tregojnë se numri shqiptarëve mbërritur me taksitë e Lamanshit ishte 640.

Ndërkohë në Facebook apo TikTok sekserët shqiptarë reklamojnë oferta kalimi me gomone kundrejt pagesës 2000 deri 3000 stërlina për person.

 

 

Top Channel