
Interi është zgjuar me një lajm tronditës mëngjesin e së shtunës, disa orë përpara finales së madhe të Champions League.
Ish-presidenti i zikaltërve, Ernesto Pelegrini, ndërroi jetë këtë mëngjes në moshën 84-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të paharrueshme në historinë e klubit italian.
Pelegrini njihet si arkitekti i ‘Scudettos të rekordeve’ në sezonin 1988-89, ku Interi triumfoi me 58 pikë nga 68 të mundshme — një rekord i jashtëzakonshëm për atë kohë, kur çdo fitore vlente vetëm 2 pikë. Gjatë drejtimit të tij, skuadra u fuqizua me blerjet e disa yjeve gjermanë si Rumenige, Lotar Mateus, Klinsman dhe Brehme, duke formuar një ekip të fortë dhe konkurrues në nivel evropian.
Trofeu i fundit i fituar nga Inter nën drejtimin e Pelegrinit ishte Kupa UEFA në vitin 1994, ku zikaltërit mposhtën Salzburgun në finale, duke rikthyer lavdinë e klubit në skenën evropiane.
Në shkurt të vitit 1995, Pelegrini vendosi të largohet nga posti i presidentit dhe ia shiti aksionet e tij Masimo Moratit, duke hapur një kapitull të ri në historinë e klubit.
“Presidenti Ernesto Pelegrini na ka lënë. Për njëmbëdhjetë vjet ai e udhëhoqi Interin me mençuri, nder dhe vendosmëri, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e klubit tonë,” thuhet në deklaratën e klubit, i cili i shpreh ngushëllimet familjes së tij dhe gjithë tifozëve Nerazzurri.
Top Channel