Fshati i boshatisur prej rrugës! Raban i Përmetit, aty ku prodhohet, por nuk ka kush e blen mjaltin dhe bulmetin

31/05/2025 13:42

Një tabelë e vjetër dhe e dëmtuar, mbi të cilën është shtënë me armë, na çoi gabimisht në një rrugë të panjohur, ndërsa udhëtonim drejt Frashërit.

Pas rreth një ore rruge të rrëshqitshme e të vështirë mali, mbërritëm në fshatin Raban, një nga vendbanimet më të izoluara të njësisë administrative Piskovë në Përmet. U deshën edhe 30 minuta të tjera për të takuar njeriun e parë.

Heshtja dhe zbrazëtia ishin totale. Familja e parë që takuam na tregoi se shkaku kryesor i boshatisjes është mungesa e rrugës. Banorët nuk mund të shesin qumështin sepse nuk kanë ku ta çojnë, dhe tregtarët nuk ngjiten deri këtu për të blerë kafshë, pasi kostoja e transportit i demotivon.

“Këtu kanë ngelur vetëm të moshuarit. Akoma kam djalin me nja 200 krerë bagëti, por edhe ato do t’i shesim. Ç’i duam? S’ka rrugë, s’ka të ardhme. Kanë ikur të gjithë. Mbjellja, korrja, punimi , s’ja vlen fare.”

 “Dikur ishim kallaballëk, gjithë fshati gumëzhinte. Tani nuk ka njeri. Djali lë gruan dhe kalamajtë në Përmet e vjen punon çoban këtu për ne. Nuk ia vlen më. As qumështin nuk na e merr kush. Vetëm rruga do ta kthente këtë vend në jetë.”

 “Unë vij një herë në vit. Tani erdha për votime. Fshati është i mirë, por rrugët janë të njëjtat që nga koha e Enverit. Një çakëll nuk kanë hedhur. Kjo duhet të ishte rruga që lidhte Përmetin me Skraparin. Thonë janë dhënë fonde, por nuk di ku ka ngelur puna.”

Raban ka qenë dikur një qendër e njohur për blegtorinë dhe jetën e gjallë rurale. Sot, kanë mbetur vetëm 10 familje rezidente, dhe në dimër numri i banorëve bie aq shumë, sa mund të numërohen me gishtat e një dore.

“Kam 20 kokë dhen. As për veten nuk vlejnë. S’i çojmë dot askund. Barxhot s’vijnë. Fshati ka marrë fund. Dikur me gomar e me patë blinim ndonjë gjë, tani as fëmijët nuk na vijnë më. Edhe vetë mezi qëndrojmë.”

 “Rruga nuk u rregullua kurrë. Shkolla u mbyll. Në dimër s’ka asgjë. Dikur, gjithë fshati mbillte e korrte, tani ka ngelur vetëm kujtimi.”

 “Pleqtë kanë ngelur me këto bahçet dhe ndonjë bletë. Vijnë turistë, por s’ka kush i pret. Ne nuk kemi ç’tu ofrojmë. Flenë në çadra, ikin e nuk kthehen. Nuk ka të ardhme.”

Roland Kaso është ndoshta banori më i ri që ka vendosur të investojë në vendlindje. I ndarë mes Përmetit dhe Rabanit, ai menaxhon një park bletësh dhe e shet mjaltin në gjithë Shqipërinë.

“Kam qenë 12 vjet në Greqi dhe u ktheva në 2010. E nisa me bletët dhe ullinjtë, por rruga është problemi kryesor. Kam marrë mjaltin e dushkut, të bedunicës dhe nëntorit mjaltin e koçimares. Me shumë mundim i çoj deri në qytet. Në fillim, shtëpia ishte gërmadhë. Por besoj se nëse rruga bëhet, mund të ringjallet edhe fshati. Unë mbledh mjaltë katër herë në vit. Kam mbi 10 vjet që i kam sjellë bletët këtu. Por pa rrugë, është e pamundur të ecësh.”

Turistët e aventurës kalojnë pothuajse çdo ditë nga kjo zonë, por banorët nuk mund t’u shesin dot asgjë, sepse ende mungojnë shërbimet. Nuk ka asnjë infrastrukturë që të përkrahë turizmin , akomodimin apo informimin ,as mundësi për t’u ndalur e për të provuar diçka vendase. Çorovoda është vetëm disa kilometra larg, por afërsia gjeografike nuk e lehtëson jetën, kur mungon gjithçka tjetër.

Megjithatë, në Raban ka ende disa zëra që nuk janë dorëzuar. Banorët që kanë mbetur vazhdojnë të besojnë se gjithçka mund të ndryshojë, nëse ndërtohet rruga. Por sot për sot Rabani është nga ato vende që, po nuk e humbe rrugën, nuk do ta gjesh kurrë.

Top Channel