Fituese e çmimit “Emmy”, humb betejën me sëmundjen e rëndë aktorja ikonë e televizionit amerikan

31/05/2025 19:54

Aktorja e njohur Valerie Mahaffey, e vlerësuar me çmimin Emmy për kontributin e saj në televizion, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare, pas një beteje me kancerin.

Lajmin e hidhur e ka konfirmuar familja e saj dhe publicisti i saj për The Hollywood Reporter.

Mahaffey ndërroi jetë të premten në Kaliforni, duke lënë pas një karrierë të pasur pesëdekadëshe në televizion, film dhe teatër.

Një karrierë e paharrueshme në ekranin amerikan

Valerie Mahaffey ishte e njohur për rolet e saj në seriale të suksesshme si “Desperate Housewives”, “Young Sheldon”, “Big Sky”, si dhe në dhjetëra produksione të tjera televizive. Ajo fitoi një çmim Emmy në vitin 1992 për interpretimin e saj në serialin “Northern Exposure” dhe më parë kishte fituar edhe një Emmy gjatë ditës për rolin e saj në telenovelën The Doctors.

Aktorja u shfaq gjithashtu në filma të njohur si “Sully”, “Seabiscuit” dhe “French Exit” – ku u nominua për një çmim Independent Spirit në vitin 2020 për rolin e saj si Madame Reynard.

Në një deklaratë për Variety, bashkëshorti i saj Joseph Kell u shpreh: “Kam humbur dashurinë e jetës sime dhe Amerika ka humbur një nga aktoret e saj më tërheqëse. Ajo do të na mungojë.”

Edhe vajza e tyre, Alice, reagoi në rrjete sociale: “Kanceri është i tmerrshëm. Do të të kërkoj në të gjitha momentet e bukura të jetës. E di që aty do të jesh.”

E lindur në Sumatra të Indonezisë, nga një nënë kanadeze dhe baba amerikan, Mahaffey u zhvendos në Teksas si adoleshente dhe nisi karrierën në aktrim në vitin 1977 me filmin “Tell Me My Name”.

Rolet e saj të paharrueshme përfshijnë atë të Alma Hodge në “Desperate Housewives” dhe Victoria MacElroy, mësuesja në “Young Sheldon”. Kontributi i saj në ekran do të mbetet një trashëgimi e rëndësishme për botën e televizionit dhe artit./ TAR

Top Channel