Tensionet tregtare drejt përshkallëzimit, Trump akuzon Kinën për shkelje të marrëveshjes mbi tarifat

30/05/2025 18:15

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka akuzuar Kinën për shkelje të një armëpushimi të përkohshëm mbi tarifat tregtare, duke sinjalizuar se tensionet mes dy ekonomive më të mëdha në botë mund të rikthehen me intensitet të lartë.

Marrëveshja për pezullimin e përkohshëm të tarifave erdhi pas bisedimeve të zhvilluara në Gjenevë në fillim të muajit maj, ku Uashingtoni dhe Pekini ranë dakord të anulonin ose pezullonin një pjesë të tarifave ekzistuese për një periudhë 90-ditore.

Megjithatë, Trump deklaroi të premten në një postim në rrjetin e tij Truth Social se “Kina është në rrezik të madh ekonomik” dhe se “në vend që të respektojë marrëveshjen, ajo e ka shkelur plotësisht atë”, pa ofruar detaje konkrete për shkeljen në fjalë.

Më pas, Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, sqaroi se Kina nuk i kishte hequr barrierat jotarifore në mënyrën që ishte parashikuar në marrëveshje. Sipas tij, Pekini kishte ndalur tarifat, por disa kundërmasa – si ndalimi i disa kompanive amerikane dhe kufizimi i eksporteve të materialeve të rralla – vijojnë të mbeten aktive.

“Shtetet e Bashkuara bënë atë që duhej të bënin. Kina, përkundrazi, po ngadalëson zbatimin e marrëveshjes. Kjo është plotësisht e papranueshme dhe duhet adresuar”, tha Greer për CNBC.

Ministria e Jashtme e Kinës nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare ndaj akuzave. Të premten, ajo refuzoi të komentonte mbi deklaratat e Sekretarit të Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, i cili tha se “bisedimet me Kinën kanë ngecur pak”.

“Duke pasur parasysh madhësinë dhe kompleksitetin e çështjes, zgjidhja kërkon angazhim direkt nga liderët e të dy vendeve”, tha Bessent në një intervistë për Fox News.

Tensionet janë shtuar edhe më shumë pasi një gjykatë amerikane e rrëzoi përkohësisht një pjesë të politikës tarifore të Trump, duke vendosur se ai kishte tejkaluar autoritetin e tij. Shtëpia e Bardhë ka apeluar vendimin, ndërsa politika tarifore është pezulluar përkohësisht.

Ndërkohë, administrata Trump ka nisur gjithashtu një fushatë për revokimin e vizave të studentëve kinezë në SHBA. Aktualisht, rreth 280,000 studentë nga Kina ndodhen në universitetet amerikane, dhe kjo lëvizje pritet të ndikojë në marrëdhëniet akademike dhe diplomatike mes dy vendeve.

Marrëveshja e arritur në maj kishte për qëllim të krijonte një hapësirë për zgjidhje të qëndrueshme, por zhvillimet e fundit tregojnë se rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve tregtare SHBA–Kinë mbetet e pasigurt.

Top Channel