
Dasma e Jeff Bezos me Lauren Sanchez ka shkaktuar një stuhi reagimesh në Venecia, vetëm disa javë para se të zhvillohej.
Ceremonia e kushtueshme, e planifikuar për ditët e fundit të qershorit, ka shkaktuar tashmë protesta të forta shoqërore dhe politike nga banorët që denoncojnë “privatizimin” e qytetit dhe nënshtrimin e plotë ndaj orekseve të elitës financiare globale.
Jeff Bezos, themeluesi i Amazon dhe një nga njerëzit më të pasur në planet, thuhet se ka rezervuar të gjithë ishullin e San Giorgio Maggiore për ditën e dasmës. Në të njëjtën kohë, ka mbyllur pesë hotele luksoze, të gjitha taksitë ujore dhe dhjetëra shërbime në qytet, i cili tashmë po mbytet nga mbingarkesa turistike.
Reagime kanë shpërthyer nga kolektiva të tilla si “Laboratorio Occupato Morion”, e cila e përcakton veten si një hapësirë politike antifashiste, antikapitaliste dhe antiraciste. Grupi bëri thirrje për një protestë të premten, më 30 maj, duke postuar një poster me sloganin: “S’ka vend për Bezosin, s’ka vend për oligarkët!” dhe fytyra e Bezos në një raketë.
Zëdhënësja e kolektivit, Alice Baccioli, i tha Daily Mail se mobilizimi i së premtes është vetëm fillimi. “Po përgatisim veprime të vogla gjatë gjithë javës dhe një demonstratë të madhe ditën e dasmës. Qyteti do të vendoset nën bllokadë policore, do të privohet nga shërbimet dhe do t’i dorëzohet njeriut më të pasur në botë. “Nuk mund ta pranojmë praninë e një personi të tillë në një qytet me një histori antifashiste”, tha ajo.
Lista e të ftuarve përfshin emra të njohur nga bota e spektaklit dhe politikës. Kardashianët, Ivanka Trump me bashkëshortin e saj, Jared Kushner, Katy Perry dhe Eva Longoria janë vetëm disa nga të ftuarit që priten. Kostoja e ceremonisë tejkalon 10 milionë dollarët, ndërsa priten dhjetëra avionë privatë – vetëm Bezos zotëron katër Gulfstreams. Jahti i tij superluksoz prej 500 milionë dollarësh nuk mund t’i afrohet as Venedikut, pasi është shumë i madh për zonën.
Ky fakt po shkakton pakënaqësi të mëtejshme, pasi banorët ankohen se qyteti tashmë po mbytet nga ndotja, infrastruktura në shkatërrim dhe shfrytëzimi i pakontrolluar nga turistët. “Venecia po shndërrohet në një shesh lojërash për miliarderë. Ne jetojmë me pasiguri dhe margjinalizim”, thotë Morion.
Kryetari i bashkisë së Venedikut, Luigi Brugnaro, është tashmë në shënjestër të protestuesve. Ai e ka konfirmuar dasmën, duke thënë se “ne do t’i mbështesim organizatorët në mënyrë që të respektohet veçantia dhe brishtësia e qytetit”. Megjithatë, kritikët e tij e akuzojnë atë për bashkëpunim. Brugnaro po hetohet për korrupsion, me akuza se ai ka pranuar ryshfete multimilionëshe nga investitorët. Një zyrtar i lartë bashkiak është dënuar tashmë dhe është dërguar në burg.
“Bruniaro ua shiti pjesë të qytetit investitorëve për përfitimin e tij – bëri të njëjtën gjë me Bezosin”, tha Baccioli.
Top Channel