Kaosi mbretëroi në autostradat gjermane të enjten, në nisje të një prej periudhave më të ngarkuara të vitit për shkak të festave, si pasojë e një gabimi serioz në shërbimin e navigimit Google Maps, i cili shfaqi pothuajse të gjithë rrjetin rrugor të vendit si të mbyllur.

Sipas The Guardian, shoferët që përdornin aplikacionin, veçanërisht në zonat përreth qyteteve të mëdha si Frankfurti, Hamburgu dhe Berlini, u përballën me harta të mbushura me sinjale të kuqe që tregonin bllokime masive trafiku. Probleme të ngjashme u raportuan edhe në disa zona të Belgjikës.

Përdoruesit e Google Maps krijuan përshtypjen se pjesë të mëdha të rrjetit rrugor gjerman ishin të paralizuara. Situata u përkeqësua nga fakti se një numër i madh qytetarësh ishin në lëvizje për shkak të fillimit të një pushimi katër-ditor me rastin e festës së Ngjitjes në Qiell.

Ata që përdorën alternativa si Apple Maps, Waze, apo u mbështetën në raportet e trafikut nga radioja, zbuluan se trafiku në rrugët që dukeshin të mbyllura në Google Maps, në fakt, po zhvillohej normalisht. Në rrjetet sociale, shumë përdorues shprehën konfuzionin, ndërsa të tjerë reaguan me humor: “Nuk mund t’i kenë mbyllur TË GJITHA autostradat”, shkroi një përdorues, ndërsa një tjetër komentoi: “Rrjeti rrugor duket sikur ka pulla”.

Situata shkaktoi aq shumë pasiguri sa disa filluan të spekulojnë për ndonjë akt terrorist apo edhe sulm kibernetik nga jashtë. Megjithatë, deri më tani, shkaku i saktë i këtij problemi dixhital mbetet i paqartë.

Një zëdhënës i Google deklaroi për mediat gjermane se kompania po heton shkaqet e incidentit, duke theksuar se përditësimi i hartave bazohet në të dhëna nga tre burime kryesore: ofrues të jashtëm informacioni, autoritete të transportit publik dhe përdorues individualë. “Pasi morëm njoftime për gabimet nga përdoruesit, nisëm menjëherë procesin e verifikimit dhe heqjes së të dhënave të pasakta,” tha zëdhënësi.

“Nuk mund të komentojmë për raste individuale,” shtoi ai, duke theksuar se zakonisht kombinimi i këtyre burimeve siguron një bazë të dhënash të fuqishme dhe të përditësuar.

Pas këtij incidenti, autoritetet këshillojnë shoferët që të konsultojnë disa burime informacioni përpara se të nisin një udhëtim, për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.

Top Channel