‘Jam i pafajshëm’, Russell Brand hedh poshtë akuzat për përdhunim dhe sulm seksual ndaj katër grave

30/05/2025 17:36

Russell Brand është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat për përdhunim, sulm seksual dhe sulm të pahijshëm të ngritura kundër tij nga katër gra, gjatë një seance dëgjimore në Gjykatën e Kurorës Southwark në Londër.

Incidentet, sipas dosjes së çështjes, dyshohet se kanë ndodhur midis viteve 1999 dhe 2005.

Prezantuesi dhe komediani britanik akuzohet, ndër të tjera, për përdhunimin e një gruaje në një hotel në vitin 1999, menjëherë pasi u takuan në një aktivitet teatral që pasoi konferencën e Partisë Laburiste në Bournemouth. Në vitin 2004, ai dyshohet se përdhunoi një grua tjetër, një punonjëse televizioni, të cilën e takoi në një bar në Soho. Gruaja raportoi se ai i kapi gjoksin dhe e tërhoqi zvarrë në një tualet, ku e detyroi të kryente akt seksual.

Në një rast tjetër, në vitin 2001, ai akuzohet për fyerje të dinjitetit seksual të një gruaje në një stacion televiziv, të cilën dyshohet se e ka kapur për dore dhe u përpoq ta fuste zvarrë në një tualet për meshkuj. Incidenti i katërt dyshohet se ka ndodhur midis viteve 2004 dhe 2005, kur Brad punonte në Channel 4 në shfaqjen Big Brother’s Big Mouth, dhe përfshin një sulm ndaj një punonjëseje të stacionit radiofonik.

Bradi mbërriti në gjykatë pak para orës 10 të mëngjesit me një Mercedes-Benz të zi, pa u thënë asnjë fjalë gazetarëve dhe fotoreporterëve që po e prisnin. Ai u ngjit shkallëve i shoqëruar nga avokati i njohur Oliver Schneider-Sikorsky, i cili kishte mbrojtur me sukses Kevin Spacey në vitin 2023 në një çështje të ngjashme.

Akuzat dolën pas një hetimi të përbashkët nga Dispatches i Sunday Times dhe Channel 4 në shtator 2023, i cili përfshinte akuza për përdhunim, sulm seksual dhe abuzim emocional. Brad i ka mohuar akuzat që atëherë, duke iu drejtuar 11.3 milionë ndjekësve të tij në X (më parë Twitter) duke deklaruar: “Unë nuk kam qenë kurrë përdhunues”.

I martuar dhe baba i tre fëmijëve, Brad ishte një nga fytyrat më të njohura në televizionin britanik në vitet 2000 dhe 2010. Në vitet e fundit, ai është drejtuar drejt medias alternative, duke ndërtuar një karrierë si podkaster politik me diskurs anti-establishment dhe një prani të fortë në platformën Rumble. Njëkohësisht, ai ka deklaruar se është konvertuar në të krishterë dhe se është pagëzuar së fundmi në lumin Tamiz nga prezantuesi dhe eksploruesi Bear Grylls.

Gjyqi i tij pritet të vazhdojë në të ardhmen e afërt, me atë që këmbëngul në pafajësinë e tij.

Top Channel