
Egjipti dhe Greqia kanë kërkuan të zbusin tensionet e lindura pas një vendimi gjyqësor të debatueshëm lidhur me manastirin historik të Shën Katerinës në Gadishullin e Sinait.
Athina zyrtare ka reaguar pasi një gjykatë egjiptiane ka marrë një vendim të mërkurën sipas të cilit hapet rruga për sekuestrimin e pronës së manastirit ortodoks nga shteti egjiptian, si dhe dëbimin e murgjve që jetojnë aty.
Manastiri i Shën Katerinës u themelua në shekullin e gjashtë në vendin biblik në malet jugore të Sinait dhe është manastiri i krishterë më i vjetër në botë që vazhdon të jetë i banuar.
Por vendimi i gjykatës për zgjidhjen e një mosmarrëveshje toke mes manastirit dhe qarkut të Sinait Jugor se manastiri “ka të drejtë të përdorë” tokën dhe vendet arkeologjike e fetare në zonë, të gjitha të cilat “janë pronë publike e shtetit” ka shkaktuar alarm në qarqet diplomatike greke, ndërkohë që vetëm në fillim të Majit në vizitën e tij në Athinë presidenti Al Sisi ka siguruar kryeministrin grek se kjo mosmarrëveshje do të zgjidhet pa asnjë problem.
Vendimi vjen ndërkohë që qeveria egjiptiane po zbaton një projekt zhvillimi për të rritur numrin e vizitorëve në këtë zonë, e cila është shumë e preferuar nga pelegrinët dhe turistët aventurierë që kërkojnë të ngjiten në malin Sinai.
Kairo nga ana e saj, ka mohuar se vendimi kërcënon këtë monument të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Vetë presidenti egjiptian në një telefonatë që ka pasur me kryeministrin grek, ka thënë se Kairo “është plotësisht e përkushtuar për të ruajtur statusin unik dhe të shenjtë të manastirit të Shën Katerinës dhe për të siguruar që ai të mos cenohet”.
Ndërsa zyra e kryeministrit Mitsotakis ka theksuar rëndësinë e “ruajtjes së karakterit të pelegrinazhit dhe ortodoksisë greke të manastirit dhe zgjidhjen e çështjes në mënyrë institucionale”, bazuar në një marrëveshje mes dy vendeve.
Kryepeshkopi Ieronymos i Athinës e quajti vendimin gjyqësor “skandaloz” dhe një shkelje të lirive fetare nga autoritetet gjyqësore egjiptiane,ndërsa Patriarkana Ortodokse Greke e Jerusalemit ka rikujtuar se manastiri ishte pajisur me një letër mbrojtjeje nga Profeti Muhamed në shekullin e shtatë, e cila u rikonfirmua nga Sulltani Osman Selimi II në shekullin e 16-të.
Të hënën një delegacion grek pritet të vizitojë Egjiptin me shpresën për zgjidhjen e ngërçit të shkaktuar nga vendimi i gjykatës në lidhje me statusin dhe pronësinë e manastirit historik.
Top Channel