
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ngritur sërish alarmin për nivelin e korrupsionit në vend, duke propozuar krijimin e një institucioni të specializuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të ngjashëm me SPAK-un në Shqipëri.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku theksoi se shpërndarja e burimeve publike në Kosovë po ndikohet nga lidhjet familjare dhe klienteliste të zyrtarëve të pushtetit aktual. “Le ta provojnë fatin. Se në Kosovë, fatin nuk e provojnë më qytetarët, por familjarët e pushtetarëve. Edhe në subvencione, edhe në grante, edhe në shitblerje të megavatëve. Fat familjarëve. Kosovës ndërsa i duhet një ‘SPAK’. Le ta ‘provojnë fatin’ aty më pas. Do ta bëjmë!”, ka shkruar Abdixhiku.
Sipas Abdixhikut, një strukturë e tillë do të ishte mekanizmi i duhur për të adresuar abuzimin me fondet publike dhe për të garantuar llogaridhënie për të gjithë.
Propozimi i Abdixhikut u prit me ironi nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet. Deputetja Fitore Pacolli e quajti idenë të pavend, duke e krahasuar me propozime të mëhershme të LDK-së.
“Pas termocentralit me gaz, LDK tani po na ‘befason’ me SPAK-un. Pikërisht ata që tentuan të bllokojnë Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë, tani po flasin për drejtësi”, shkroi ajo. Megjithatë, është fakt se LDK-ja e kishte përkrahur themelimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë në votimin e parë parlamentar.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri u themelua në vitin 2019 si pjesë e reformës në drejtësi, me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare nga BE-ja dhe SHBA-ja. Në pak vite, SPAK ka ndërmarrë hetime ndaj figurave të larta politike, përfshirë ish-kryeministra, ish-presidentë, ministra dhe zyrtarë të nivelit të lartë.
Top Channel