Video/ Kaos në Gaza, depoja ushqimore sulmohet nga turma e uritur, katër të vdekur

29/05/2025 16:48

Një turmë e madhe njerëzish të dëshpëruar sulmuan një depo ushqimore në Gazën qendrore të enjten, tha Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së, ndërsa situata për popullsinë e Rripit mbetet e tmerrshme.

Pamjet filmike treguan mijëra njerëz që sulmuan depon e Al-Ghafari në Deir al-Balah dhe morën qese me miell dhe kuti me ushqim. Në sfond dëgjoheshin edhe të shtëna me armë zjarri, por nuk është e qartë nga vinin ato.

Dy persona u vranë nga të shtënat me armë zjarri dhe shumë të tjerë u plagosën gjatë incidentit.

Në një deklaratë, Programi Botëror i Ushqimit (WFP) tha se nevojat humanitare në Gaza kishin “dalë jashtë kontrollit” pas bllokadës izraelite që po vazhdonte për gati tre muaj, megjithëse ajo u lehtësua pak javën e kaluar.

Autoritetet izraelite njoftuan të mërkurën se 121 kamionë të OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar, që transportonin ndihma humanitare, përfshirë miell dhe ushqime, u transferuan në Gaza.

Një zyrtar i lartë i OKB-së i tha gazetarëve të mërkurën se turma të dëshpëruara po plaçkitnin ngarkesën nga kamionët e ndihmave të OKB-së.

Izraeli filloi të lejojë një sasi të kufizuar ndihmash në Gaza javën e kaluar. Megjithatë, e dërguara e OKB-së për Lindjen e Mesme, Sigrid Kaag, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se kjo ndihmë ishte “si një litar shpëtimi pasi anija u fundos”, pasi të gjithë në Gaza po përballeshin me rrezikun e urisë.

Top Channel