Trump vijon ‘luftën’ me Harvardin! Vendos kushte: Të lejohen vetëm 15% e studentëve të huaj!

29/05/2025 14:27

Presidenti amerikan Donald Trump i dyfishoi sulmet e tij kundër Universitetit të Harvardit, duke thënë se ky universitet i Ligës Ivy duhet të ketë një kufi për përqindjen e studentëve të huaj.

“Mendoj se duhet të kenë një limit prej ndoshta rreth 15%, jo 31%. Ne kemi njerëz që duan të shkojnë në Harvard dhe në shkolla të tjera, por nuk mund të hyjnë sepse kemi studentë të huaj atje”, tha ai nga Zyra Ovale.

Harvard ka thënë në dokumentet e gjykatës se studentët ndërkombëtarë me kohë të plotë përbëjnë rreth një të katërtën e trupit të tij studentor.

Harvardi ka refuzuar gjerësisht shumë kërkesa të qeverisë, duke përfshirë edhe dorëzimin e të gjitha të dhënave të sjelljes së studentëve të huaj dhe lejimin e auditimeve për të konfirmuar se ka zgjeruar “diversitetin e pikëpamjeve”.

“Harvardi duhet të bëjë publike listat. Ata kanë studentë të huaj, rreth 31% e studentëve të tyre janë me bazë jashtë vendit, pothuajse 31%. Ne duam të dimë se nga vijnë këta studentë… A janë ata shkaktarë problemesh? Nga cilat vende vijnë?”, shtoi më tej republikani.

Trump pretendoi se disa nga studentët ndërkombëtarë të përfshirë në të dhënat e Harvardit do të jenë “njerëz shumë radikalë”. “Ata po marrin njerëz nga zona të botës që janë shumë të radikalizuara dhe ne nuk duam që ata të shkaktojnë probleme në vendin tonë”, mbylli fjalën e tij Trump.

 

Top Channel