Rritja e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë/ Protestojnë bizneset, bllokojnë hyrjet e Prishtinës!

29/05/2025 15:37

Për dy orë të enjten u bllokuan hyrjet kryesore të Prishtinës nga protesta e bizneseve që po kundërshtojnë liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Një numër i konsiderueshëm i kamionëve të transportit të mallrave bllokuan njërën korsi të hyrjes më të frekuentuar të kryeqytetit në Veternik. Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga qeveria të iu mundësohet bizneseve një fazë e tranzicionit, para se të hyjë në fuqi më një qershor tregu i hapur.

Bizneset tona do të pësojnë sepse do të kenë një rritje të çmimit të energjisë elektrike prej 220 deri në 270% më shumë”, shprehet Lulzim Rafuna – Kryetar, Oda Ekonomike e Kosovës.

Oda Ekonomike e Kosovës ka paralajmëruar edhe radikalizim të protestës në rast se nuk ka reflektim nga institucionet ekzekutive në vend. Ndërkohë, bizneset druhen se do të shohin edhe shuarjen e tyre për shkak të rëndesës së Kostos financiare që do të ketë për ta tregu i hapur.

Do të ketë rritje të importit siç është duke pasur çdo herë edhe do të ketë rënie të prodhimit vendor, rënie të punësimit dhe rënie të mirëqenies

Po nuk na ndihmuan, besoni që të gjithë do të falimentojmë. Si kompani kam marrë 265 euro mega vatin. Është diçka e papërballueshme, kur e dimë se energjinë në rajon e kanë rreth 100 euro”, shprehet më tej ai.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga objekti i qeverisë, në nisje të protestës së bizneseve tha se “koha e bllokadave” ka përfunduar, duke i krahasuar me grupet që bllokonin rrugët në veri të vendit.

Ata po duan të bëjnë barrikada në hyrjet e Prishtinës, por koha e barrikadave në Kosovë, ka kaluar, i kemi hequr ato kudo ku kanë qenë dhe jemi zotuar që nuk do të lejojmë më të reja të vendosen”, tha kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Bizneseve në protestën e tyre kundër liberalizimit të tregut të energjisë u ka dalë në mbështetje partitë që deri tani kanë qenë në opozitë. Bazuar në vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, bizneset që kanë mbi 50 punëtorë dhe mbi 100 milionë euro qarkullim detyrohen që të zgjedhin se prej ku do të furnizohen me rrymë me çmime të parregulluara nga ky institucion. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, janë gjashtë kompani të licencuara për të ofruar këtë shërbim.

Top Channel