
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe sekretarja e Partisë Demokratike të qendrës së majtë, Elly Schlein, u shprehën me shqetësim mbi fenomenin tragjik të vrasjeve të grave, duke theksuar nevojën për një reagim më efektiv dhe të unifikuar.
Deklaratat e tyre erdhën pas dy ngjarjeve tronditëse që ndodhën së fundmi në Itali. Vetëm pak ditë më parë, pranë Napolit, karabinierët gjetën trupin e 14-vjeçares Martina Carbonaro, e cila u vra nga ish-i dashuri i saj, i cili nuk mund të pranonte ndarjen mes tyre. Mbrëmjen e djeshme, në një spital në Torino, ndërroi jetë edhe Fernanda Di Nuzzo, 61 vjeç, pasi ishte goditur me thikë nga bashkëshorti i saj gjatë një konflikti familjar.
Kryeministrja Giorgia Meloni u shpreh se këto ngjarje “shkaktojnë tronditje të thellë dhe na detyrojnë të përballemi me një të keqe të madhe, që nuk duhet as të injorohet, as të kthehet në diçka të zakonshme”.
Ajo shtoi: “Duhet ta kuptojmë se masat e marra deri tani nuk do të jenë kurrë të mjaftueshme nëse nuk i japim jetë një ndryshimi të thellë shoqëror dhe kulturor. Ka pasur përparim ndër vite, por padyshim që nuk mjafton. Gjithnjë e më shpesh, gratë – sidomos të rejat – po bëhen viktima të dhunës së verbër dhe posesive.”
Nga ana e saj, Elly Schlein theksoi rëndësinë e unitetit politik përballë këtij fenomeni shoqëror: “Të paktën për këtë çështje – dhunën ndaj grave – dallimet politike duhet të lihen mënjanë, që vendi të mund të bëjë hapa të vërtetë përpara”, tha Schlein.
Top Channel