“Mospjesëmarrja në zgjedhje, votë kundër Berishës”/ Ish-deputeti i PS në “Top Story”: Demokratët nuk mund të votonin Metën

29/05/2025 21:23

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, analizoi rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit në “Top Story”.

Sipas tij, rezultati u ndikua nga opozita dhe Sali Berisha, të cilët vunë në zbatim një taktikë të dobët në këto zgjedhje.

“Ky rezultat është meritë e PS-së, por masa është meritë e opozitës, sidomos Sali Berishës. Mjafton të bëjmë krahasimin me 2021-shin, me LSI-në brenda, PD-ja ka paguar kosto, sepse demokratët nuk mund të votonin për Ilir Metën. Brenda është dhe kriza dhe problematikat personale të Berishës. Duke shtuar dhe ‘sherifin’ nga Amerika, i cili nuk i shtoi asgjë, por i hoqi vota PD-së… Të gjitha këto, e çuan rezultatin në këto numra, sepse kodi bën llogari relative. Po të shikosh votat tona, pavarësisht se kësaj radhe ishte në lojë dhe vota e Diasporës, ne jemi aty-aty me 2021-shin. Ajo që ka rënë është PD-ja. Është gremisur. Ishte një votë proteste. Mospjesëmarrja ishte një lloj vote kundër Berishës si person që çoi në këtë deregje.

Këtu ka pasur eksperiment, por duhet theksuar dhe taktika elektorale. Taktika e Berishës ishte krijimi i një grupi privat parlamentar, gjë që nuk e kishte në 2021-shin. Grupi parlamentar u bë i Bashës dhe Berisha mori partinë, më vonë mori grupin. Duhet që në listat e hapura të ishin kuajt e fuqishëm. U kuptua që PS-ja u përgatit për të fituar, ndërsa Berisha priste humbjen, por përgatiti si donte grupin”, u shpreh Koçi.

Top Channel