
Ndërsa sulmet ruse ndaj Ukrainës përshkallëzohen, presioni i brendshëm po rritet mbi presidentin amerikan, Donald Trump që më në fund të ecë përpara me sanksione të reja kundër Moskës.
Senatorët republikanë dhe këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë po e nxisin atë të pranojë ose të paktën të mos bllokojë vendosjen e masave të ashpra ekonomike.
Pavarësisht rezervave të tij për muaj të tërë në lidhje me sanksionet, të cilat ai shpesh i konsideron joefektive dhe të përdorura tepër, Trump tani thuhet se po i shqyrton seriozisht ato.
Sipas zyrtarëve të lartë të administratës, bezdia e presidentit me qëndrimin agresiv të Moskës është “e sinqertë dhe në rritje”.
“Ai gjithmonë po kërkon mënyra të ndryshme për të ushtruar presion. Dhe kjo nuk është përjashtim”, tha një këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
SHBA-të kanë përgatitur tashmë një paketë sanksionesh të reja kundër Rusisë, duke u përqendruar në sektorët bankarë dhe të energjisë, të cilat mund të zbatohen në çdo kohë me urdhër të presidentit. Ndër skenarët që po shqyrtohen është mbështetja indirekte për një propozim legjislativ të paraqitur së fundmi nga senatorët Lindsey Graham (republikan) dhe Richard Blumenthal (demokrat), i cili parashikon vendosjen e tarifave prej 500% për produktet nga vendet që vazhdojnë të blejnë energji ruse.
Sipas zyrtarëve qeveritarë, ky propozim mund t’i ofrojë Trump mundësinë për të mbajtur komunikim të hapur me Putinin, duke ia kaluar përgjegjësinë për sanksionet Kongresit. Në të njëjtën kohë, po shqyrtohen edhe të ashtuquajturat “sanksione dytësore”, domethënë kufizime jo vetëm kundër Rusisë, por edhe kundër vendeve të treta që vazhdojnë të tregtojnë me të.
Graham dhe Grassley bëjnë thirrje për “mesazh të fortë për Putinin”. Presioni mbi Trump nuk kufizohet vetëm tek kundërshtarët e tij politikë. Republikanë kryesorë si senatorët Graham dhe Chuck Grassley, aleatët e tij të ngushtë politikë, po bëjnë thirrje hapur për sanksione.
“Unë besoj se presidenti Trump ishte i sinqertë kur besonte se miqësia e tij me Putinin do t’i jepte fund luftës. Meqenëse kjo nuk ndodhi, ËSHTË KOHA PËR SANKSIONE QË DO T’I TREGOJNË PUTINIT SE LOJA KA MBARUAR”, shkroi Grassley në një postim.
Iniciativa në Kongres dhe BE
Senati tashmë po shqyrton mundësinë e promovimit të projektligjit përkatës, ndërsa në Dhomën e Përfaqësuesve ekziston një propozim përkatës dypartiak, megjithëse republikanët e Dhomës duken më pak të gatshëm ta mbështesin Ukrainën.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian vazhdon të rrisë presionin mbi Moskën, duke miratuar një paketë të re sanksionesh kundër 130 individëve dhe personave juridikë, përfshirë kompaninë e madhe të naftës Surgutneftegaz.
Top Channel