
Qeveria gjermane i dha dritën jeshile planeve për t`i vendosur kufizime të forta bashkimeve familjare dhe për të ashpërsuar po rregullat për marrjen e nënshtetësisë.
Në këtë mënyrë, kancelari konservator Friedrich Merz synon të vërë në jetë njërin prej zotimeve kyce të fushatës së tij, që është ashpërsimi i politikave të emigracionit. Hapat e hedhur në këtë drejtim prej krut të CDU-së u panë që me marrjen e detyrës nga ana e tij më herët këtë muaj, kur ekzekutivi vendosi menjëherë kontrolle në kufijtë e vendit. Pezullimi i bashkimeve familjare do të zgjasë të paktën dy vjet dhe do të prekë personat që nuk kanë status të plotë të refugjatit.
Sipas autoriteteve, ky vendim do të ndihmojë në “lehtësimin” e punës së këshillave lokalë, që janë të caktuar për të ofruar ndihmë dhe integrim të personave të porsambërritur në këtë shtet. Një masë e ngjashme ka qenë në fuqi edhe mes vitit 2016 dhe 2018, kur Europa u përball me krizën e një emigracioni masiv.
Masat e fundit përfshijnë edhe heqjen e një reforme që ishte zbatuar nga qeveria e mëparshme, sipas së cilës, emigrantët mund të aplikonin për shtetësi pas tre vjetësh qëndrimi në Gjermani nëse arrinin të dëshmonin se kishin shënuar “sukses në integrim”. Kërkesa për qëndrim tani do të rritet përsëri në pesë vjet.
Top Channel