Rregulla të reja në ligjin e emigracionit në Gjermani, ndalohet ribashkimi familjar dhe natyralizimi i shpejtë

28/05/2025 19:52

Para se të mbushte një muaj në detyrën e tij, Ministri i Brendshëm Alexander Dobrid kishte sjellë tashmë në Parlament dy projektligje të rëndësishme mbi imigracionin.

Qeveria e re gjermane lëviz shpejt drejt rregulloreve të rrepta të azilit, siç kishte paralajmëruar, me qëllimin e qartë për të dërguar një mesazh se politika e vendit po ngurtësohet.

Ky projektligj ka të bëjë me kufizimin e rasteve kur do të lejohet ribashkimi familjar i refugjatëve, ndërsa i dyti synon heqjen e të ashtuquajturit natyralizim “turbo” për raste të veçanta dhe vetëm pas tre vitesh qëndrimi në vend.

“Sot është një ditë vendimtare në kauzën e reduktimit të migracionit të parregullt dhe luftimit të mbingarkesës së sistemeve të integrimit,” tha Dobrid. “Qëllimi ynë është të zvogëlojmë faktorët që veprojnë si faktorë tërheqës, të sjellim më shumë rend në procesin e migrimit, duke respektuar njëkohësisht parimin e humanitetit.”

Mungesa e një zgjidhjeje për problemin e imigracionit ka kontribuar ndjeshëm në polarizimin social, siç argumentoi ministri, dhe është koha për të marrë masa.

Ribashkimi familjar ka të bëjë me njerëzit me të ashtuquajturin status të mbrojtjes plotësuese. Këta janë refugjatë që nuk u jepet azil ose mbrojtje si refugjatë në Gjermani, por megjithatë lejohen të qëndrojnë, sepse përballen me persekutim politik, tortura ose dënim me vdekje në vendet e tyre të origjinës.

Sipas projektligjit, në fund të marsit, pothuajse 390,000 persona me mbrojtje plotësuese jetonin në Gjermani. Që nga gushti i vitit 2018, 1,000 personave në muaj u është dhënë leja e hyrjes në vend si të afërm të personave me këtë status mbrojtjeje, pra rreth 12,000 në vit.

Një total prej 229,751 personash kërkuan azil për herë të parë në Gjermani vitin e kaluar. Ribashkimi familjar më parë ishte i kufizuar vetëm për të afërmit e ngushtë – përkatësisht bashkëshortët, partnerët e regjistruar dhe fëmijët e mitur. Personat me mbrojtje plotësuese nuk do të lejohen më të sjellin anëtarët e familjes në Gjermani për dy vjet. Rastet e vështirësive ekstreme përjashtohen, megjithatë projektligji nuk përcakton saktësisht se çfarë përbëjnë këto raste.

Ndryshimi në legjislacion kritikohet nga të Gjelbrit dhe Partia e Majtë (Die Linke). Amnesty International, në ndërhyrjen e saj, e quajti atë një kufizim të mëtejshëm të të drejtave të refugjatëve. Sophie Seit, një eksperte për politikën e azilit në Gjermani, tha: “Për shumicën e njerëzve, është e vështirë të imagjinohet të jetosh i ndarë pa dëshirë nga familja e ngushtë – domethënë fëmijët, bashkëshortët ose partnerët, prindërit dhe vëllezërit e motrat – për muaj ose edhe vite. Për shumë refugjatë në Gjermani dhe familjet e tyre, ky është pikërisht realiteti.”

Organizata thekson se “kufizimet në ribashkimin familjar për ata që kanë marrë mbrojtje plotësuese – shpesh refugjatë të luftës civile, për shembull nga Siria – mungesa e mundësisë për të sjellë vëllezërit e motrat në Gjermani dhe fakti që procedurat e ribashkimit familjar në praktikë zgjasin me vite, përbëjnë një shkelje të rëndësishme të së drejtës për një familje.” Qëndrime të ngjashme kanë shprehur edhe organizata të tjera, si Pro Asyl, si dhe Këshilli i Pavarur për Migrim dhe Integrim.

Përveç kësaj, qeveria gjermane dëshiron gjithashtu të shfuqizojë natyralizimin e përshpejtuar që ishte vendosur pas tre vitesh qëndrimi në vend për emigrantët veçanërisht të integruar mirë, i cili ishte miratuar nga koalicioni i mëparshëm trepartiak. Këto të ashtuquajtura “natyralizime turbo” ishin tashmë një gjemb në këmbë për demokratët e krishterë kur ata ishin në opozitë, dhe heqja e tyre ishte një premtim fushate.

Top Channel