
Një grup i mbështetur nga Uashingtoni që është aprovuar nga Izraeli për të marrë përsipër shpërndarjen e ndihmave në Gazë, ka nisur operacionet në terren, pavarësisht se një gjë e tillë është kundërshtuar me forcë nga Kombet e Bashkuara dhe shumica e grupeve humanitare, e madje edhe njëri prej drejtuesve të tij ekzekutiv dha dorëheqjen papritur në shenjë proteste.
GHF, apo Fondacioni Humanitar për Gazën po shihet si boshti i sistemit të ri të ndihmave, i cili praktikisht ia largon të drejtën e shpërndarjes grupeve bamirëse të udhëhequra nga OKB-ja, të cilat kanë zhvilluar një operacion të madh të dërgimit të ushqimeve, ilaçeve, karburanteve, çadrave dhe furnizimeve të tjera në Gazë që nga nisja e luftës në tetor të vitit 2023.
Mekanizmi i ri e kufizon shpërndarjen e ushqimeve në një numër të vogël qendrash të mbikëqyrura nga kontraktorë të armatosur, ku njerëzit duhet të shkojnë vetë për t’i marrë ndihmat. Aktualisht po vendosen katër qendra të tilla, të gjitha pranë pozicioneve ushtarake izraelite. Tre prej tyre ndodhen në skajin jugor të Gazës, ku ka shumë pak palestinezë. GHF-ja deklaroi se ka nisur kamionët me ushqime drejt qendrave të veta dhe ka nisur shpërndarjen, pa dhënë detaje për sasinë e ndihmave të shpërndara, por duke pretenduar vetëm se planifikon të dërgojë ndihma për më shumë se 1 milion palestinezë deri në fund të javës. Rripi i Gazës ka një popullsi prej afër 2.3 milionë banorësh.
Jake Wood, amerikani që e ka udhëhequr këtë përpjekje, tha të dielën në mbrëmje se po jepte dorëheqje pasi ishte e qartë se organizata nuk do të lejohet të operojë në mënyrë të pavarur. Izraeli ka kërkuar një plan alternativ sepse e akuzon Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – se po i devijon ndihmat.
Por OKB-ja dhe grupet e tjera të ndihmës kanë mohuar se ka devijim të madh të ndihmave, dhe e refuzojnë mekanizmin e ri, me argumentin se ai i lejon Izraelit që të përdorë ushqimin si armë dhe shkel parimet humanitare.
Top Channel