Lehtësi për studentët e huaj, Presidenti i UET për vendimin e qeverisë për studentët e huaj që vijnë në Shqipëri: Rrit konkurrencën dhe mësimdhënien

28/05/2025 15:13

Studentët e huaj që duan të vijnë në Shqipëri për të studiuar, do të kenë më tepër lehtësira.

Qeveria shqiptare përmes një VKM, të datës 21 maj, ka lehtësuar procedurat për hyrjen dhe qëndrimin e studentëve të huaj në vendin tonë.

Ky është një hap drejt ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë në Shqipëri, pasi ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Shqipëria deri më tani ka më pak se 1% të studentëve të huaj, ku edhe këta janë të përqendruar në universitetet private.

Presidenti i UET, Selami Xhepa, e sheh këtë hap si një mundësi që do të sjell efekte pozitive jo vetëm në sistemin arsimor por edhe për shoqërinë shqiptare.

“Ka një efekt shumë të rëndësishëm për vendin. Në radhë të parë njëherë sepse ushtron një presion pozitiv në sistem tonë arsimor. Në thelb e ekspozon sistemin tonë arsimor ndaj një presioni nga studentët ndërkombëtar pra krijon një ambient multikulturor. Ushtron një presion për të rritur konkurrencën dhe për të rritur cilësinë e mësimdhënies në universitetet tona pastaj në një plan më të gjerë pa diskutim që kjo krijon edhe lidhjet e miqësisë të vendit tonë me vendet e tjera, krijon më shumë mundësi për tregun e punës”, shprehet Selami Xhepa, president i UET.

Kështu, përmes vendimit më të fundit të qeverisë, studentëve të huaj do tu njihen si të vlefshme edhe burime alternative të të ardhurave, si bursa apo grante, në një minimum vjetor prej 300 mije lekësh. Po ashtu universitet shqiptare do të lëshojnë vërtetime akomodimi për studentët e huaj por do të kenë edhe përgjegjësinë për të raportuar çdo 6 muaj mbi ndjekjen e studimeve dhe do të duhet të njoftojnë  menjëherë autoritetet e migracionit në raste shkeljesh.

“Praktikat e lehtësimit që u miratuan nga qeveria bëjnë sens sepse shkojnë në të njëjtën logjike që përdorin edhe vendet e tjera europiane. Duhet që vet universitete te jenë bashkëpunuese me institucionet publike për të mos lejuar që kjo praktikë të abuzohet nga individë që pastaj mund të përdorin Shqipërinë si trampolinë për tu larguar nga Shqipëria në vendet e Evropës”, shton më tej Xhepa.

Sfida e universiteteve tanimë është përgatitja e strukturave për pritjen dhe integrimin e studentëve të huaj në shoqërinë dhe jetën akademike në Shqipëri. Ambicia është që numri i studentëve të huaj të arrijë në mesataren  e vendeve të rajonit, pra  3.5% e numrit total të studentëve të jenë ndërkombëtarë.

 

 

Top Channel