
Kryetari i bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, mbështeti publikisht thirrjet për dekriminalizimin e zotërimit të sasive të vogla të kanabisit për përdorim personal.
Sipas tij, raporti i ri, i prezantuar nga Komisioni i Londrës për lëndët narkotike nën drejtimin e Lord Falconer, ofron një rast bindës, të bazuar në prova, i cili mund të merret në konsideratë nga qeveria.
Raporti përmban 42 rekomandime të cilat përfshijnë heqjen e kanabisit natyral nga Akti i Keqpërdorimit të Drogave dhe klasifikimin e tij nën Aktin e Substancave Psikoaktive. Sipas ligjeve aktuale në Mbretërinë e Bashkuara, kanabisi konsiderohet drogë e klasit B dhe personat që gjenden në zotërim të tij përballen me gjobë ose edhe me burgim.
Komisioni megjithatë, konsideron se këto ligje janë në disproporcion me dëmin që mundet të shkaktojë kanabisi realisht, e sipas tij, praktikat e policisë si ndalimi dhe kontrolli po përdoren në mënyrë jo të drejtë edhe ndaj komuniteteve të caktuara racore. Ai në thelb, nuk bën thirrje për dekriminalizimin e plotë, por për zbutje qëndrimi, teksa insiston për më shumë vëmendje tek edukimi, kujdesi shëndetësor dhe një qasje e përmirësuar tek kanabisi mjekësor.
Lord Falconer e pohoi se objektivi i komisionit nuk është legalizimi, por argumenton nga ana tjetër se përdoruesit nuk duhet të përballen me ndëshkime penale.
Top Channel