Këshilltari i Putin për punët e jashtme kritikon Trump për komentet ndaj presidentit rus: Mendoj që presidenti nuk është i informuar mjaftueshëm

28/05/2025 17:23

Një ndihmës i lartë i Kremlinit ka akuzuar Donald Trump se nuk është “i informuar mjaftueshëm” për situatën në Ukrainë, pasi presidenti amerikan tha se udhëheqësi rus Vladimir Putin po “luante me zjarrin”.

Ndihmësi i Putinit, Yury Ushakov, po reagonte ndaj postimit të Trump në Truth Social të martën, në të cilin presidenti tha: “Ajo që Vladimir Putin nuk e kupton është se nëse nuk do të ishte për mua, shumë gjëra vërtet të këqija do t’i kishin ndodhur tashmë Rusisë, dhe dua të them SHUMË KEQE. Ai po luan me zjarrin!”

Ushakov, një ish-ambasador rus në Uashington, i cili ishte pjesë e ekipit negociator që Moska dërgoi në Arabinë Saudite për t’u takuar me zyrtarë amerikanë në fillim të këtij viti, më pas vuri në dyshim saktësinë e informacionit që merr Trump.

“Trump thotë shumë gjëra. Natyrisht, ne i lexojmë dhe i monitorojmë të gjitha këto. Por në shumë mënyra, kemi arritur në përfundimin se Trump nuk është i informuar mjaftueshëm për atë që po ndodh vërtet në kontekstin e konfrontimit ruso-ukrainas”, tha Ushakov për kanalin televiziv shtetëror rus Russia-1.

Ushakov tha se Trump dukej se nuk ishte në dijeni të asaj që ai e quajti “sulme terroriste masive gjithnjë e më të shpeshta që Ukraina po kryen kundër qyteteve paqësore ruse” dhe sugjeroi që Trump sheh vetëm sulmet e Rusisë, duke përsëritur pretendimin e Moskës se ajo “po godet ekskluzivisht infrastrukturën ushtarake ose kompleksin ushtarako-industrial”.

Vërejtja e Ushakov erdhi menjëherë pasi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov refuzoi të komentonte mbi deklaratat e Trump gjatë një telefonate me gazetarët.

 

Top Channel