Inside Story / Skandaloze! Lirohet nga burgu pas çdo mashtrimi, qytetari: Ndërtuesi shiti pronën që kisha paguar prej vitesh

28/05/2025 22:19

Ilber Boshnjaku, një shqiptar i Maqedonisë, emigrant prej 30 vitesh në Gjermani, ka blerë një apartament në vitin 2014 në Fier pranë kompanisë “Fatjola” që zotërohet nga Njazi Vrenozi dhe Uliks Spaho.

Apartamenti kushtoi 44 mijë euro, nga të cilat 25 mijë i pagoi në moment dhe 19 mijë të tjera i shleu brenda vitit me këste. Mirëpo, në tetor të vitit 2024, mësoi se shtëpia e tij ishte uzurpuar dhe ishte rishitur nga firma.

“Për herë të fundit kam qenë në gusht 2024 dhe pasi u ktheva nga pushimi, më morën komshinjtë e më thanë dikush ka thyer derën dhe u fut brenda”, u shpreh Ilber Boshnjaku, denoncues.

Për të realizuar planin e përvetësimit të pronës, ndërtuesi padit çiftin Boshnjaku në gjykatë. Në padi pretendonte se i kishin borxh 19 mijë euro. Për këtë arsye, kërkonte prishjen e kontratës së shitblerjes. Edhe Boshnjaku bëri kallëzim ndaj ndërtuesit. Gjatë procesit gjyqësor, ai paraqiti kontrata noteriale që vërtetonin pagesën e tre kësteve prej 19 mijë euro. Madje, ato ishin firmosur edhe nga vetë ndërtuesi Njazi Vrenozi. Por, teksa shkuan në banesë për të bërë konstatimin e ndërrimit të bravës nga ndërtuesi, çifti Boshnjaku zbuloi se apartamenti ishte rishitur.

“Vajtëm me polici dhe ne menduam se ishin qiraxhinj, por ata ishin blerës të dytë të shtëpisë dhe na treguan disa kontrata që i kishin bërë në tetor 2024, që e kanë blerë shtëpinë në 2018. I pyeta: ‘Si e bletë ju në 2018, ku ishit deri më tani, se ne kemi jetuar në to?’. Ndërkohë që aty ishin rrobat tona, pajisjet tona… Ne i thamë: ‘Ne deri në gusht kemi banuar këtu, komshinjtë na njohin të gjithë’. Ata thanë: ‘Nuk e dimë, na e ka dhuruar djali shtëpinë’”, u shpreh Ilber Boshnjaku, denoncues.

Pas denoncimit të Boshnjakut, Njazi Vrenozi u arrestua nga policia e Fierit, e cila pas verifikimeve konkludoi se ai kishte mashtruar duke shitur këtë apartament dy herë.

Për momentin, Boshnjaku nuk e zotëron ende pronën e tij. Aty banon familja tjetër që ai pretendon “se e kanë blerë me dokumente false”. Kjo përbën një dramë për të dyja familjet, edhe pse Boshnjaku ngre dyshime se blerësit e rinj mund të jenë pjesë e skemës së ndërtuesit.

“Që 11 vite që e kam atë shtëpi, kam bërë punime, kam bërë dy herë në vit pushime, më njohin të gjithë, por atë nuk e prisja. Nuk kam konflikt me ata që janë brenda, unë mendoj se ata janë pjesë e lojës së ndërtuesit”, u shpreh Ilber Boshnjaku.

Ekspertët kanë disa këshilla se si qytetarët mund të mbrohen nga mashtrimet…

“Fillimisht të shohë a është regjistruar leja në regjistrin provizor, të shikojë kontratën, dhe të shikojë të drejtat e detyrimet në mënyrë të barabartë, të mos pranohen më kontrata paraprake të cilat nuk është leja e ndërtimit”, u shpreh noterja, Elona Saliaj.

“E para është: këshillohu me një avokat. Këshilla e dytë: të mundohen të blejnë prona të hipotekuara dhe të zgjedhin ndërtues seriozë”, u shpreh Altin Latifi, përmbarues.

Vigjilenca asnjëherë nuk është e tepërt. Por kjo nuk do të thotë se shteti dhe institucionet përkatëse duhet të rrinë duarkryq. Ky hulumtim zbuloi se ndryshimet ligjore nuk e mbrojtën 100% qytetarin nga shitjet e shumëfishta të pronës nga ndërtuesit mashtrues. Këtu, nevojitet ndërhyrja urgjente e institucioneve që të shmangin dramat sociale dhe çeljen e konflikteve. Është më e volitshme të parandalosh, se të përpiqesh të zgjidhësh këmbët e një oktapodi që nuk merr fund.

Top Channel