Inside Story / Ndërtuesit u dënuan për shitje shumëfishe të apartamenteve, por… Si vijoi tjetërsimi i dhjetëra pronave?

28/05/2025 21:38

Lista e zezë e ndërtuesve kryesohet nga subjekti “GORA” në pronësi të Vjollca Hoxhollit.

Ajo dhe bashkëshorti i saj, Rrapush Hoxholli, janë denoncuar shpesh për një trashëgimi të madhe mashtrimesh dhe pallate të palegalizuara. Këtu përfshihet edhe blloku i madh i pallateve pranë Gjykatës së Tiranës.

Dy bashkëshortët u arrestuan në vitin 2018, pasi ishin denoncuar për shitjet e shumëfishta të të njëjtave prona. Atë vit, Rrapush Hoxholli ndërroi jetë. Në vitin 2021, gjykata e dënoi me 6 vite burg bashkëshorten, Vjollca Hoxholli, për mashtrim.

Pavarësisht se është dënuar për veprën penale të mashtrimit dhe ndodhet në listën e zezë të ndërtuesve, sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, ajo zotëron tre kompani: “Gora”, “Hoxholli” dhe “JON”, të tria ende aktive.

Disa qytetare denoncuan pranë redaksisë së Inside Story se abuzimet e subjektit vijojnë edhe pas proceseve ligjore.
Dyshimet për një skemë të mirëfilltë përforcohen nëse vëren se pronësia e të paktën 15 apartamenteve të shitura është tjetërsuar pa dijeninë e blerësve. Të gjitha kanë kaluar në pronësi të një personi të vetëm, që mendohet se i shërben skemës së tjetërsimit dhe zhvatjes.

Denoncuesi thotë se janë dhjetëra qytetarë që u është vjedhur prona për të cilën kanë paguar shuma parash, por shumica kanë frikë të denoncojnë.

Kompania “JON” sh.p.k ka deklaruar 264 milionë lekë fitim të pashpërndarë për vitin 2023, ndërsa kompania “Gora”, megjithëse ka disa vendime sekuestroje, ka zgjeruar kapitalin me rreth 1 miliard lekë.

Deri në vitin 2005, kontratat e shitjes janë hartuar në masë mes blerësve dhe sipërmarrësve vetëm me vërtetim të nënshkrimit. Tek noteri shkonin vetëm për firmë. Kjo u pa si shumë problematike dhe në vitin 2005 u ndryshua ligji. Noteri u bë pjesë e redaktimit të kontratave. Në vitin 2018, ligji ndryshoi sërish dhe noteri nuk është më redaktues, por hartues i kontratave.

“Kontrata të tilla janë hartuar në masë. Joshja më e madhe e klientëve ka qenë që ta prenotonin që në krye të herës, pra që në fillesat e ndërtesës, sepse çmimi ishte më i favorshëm. Por, nga ana tjetër, ngeleshin peng i atij prenotimi, sepse për vite të tëra – siç na ka treguar edhe historia – ndërtime të tilla kanë ngelur pezull”,u shpreh noterja Elona Saliaj.

HELIO KONSTRUKSION, një tjetër kompani në listën e zezë, rezulton të jetë në pronësi të Oleg Dimushit. Sipas QKB-së, ajo ka status aktiv. Tre vitet e fundit ka deklaruar humbje, ndërsa në vitin 2022 është vendosur nën sekuestro.

Ndërsa kompania e tij ndodhet në vështirësi, Dimushi rezulton të jetë drejtues teknik në një tjetër kompani që ka siguruar disa leje ndërtimi.

Lista e zezë vijon me kompaninë VASILI sh.p.k, e krijuar më 1998. Aktualisht, subjekti ka ndryshuar emrin në “Grand Korça”, me pronar të vetëm Vasil Karapuni. Kjo kompani, edhe pse deklaron humbje, rezulton të jetë fituese e dhjetëra tenderave publikë në Bashkinë e Korçës dhe spitalin e këtij qyteti.

INTERAS GROUP sh.p.k, që është po ashtu në këtë listë të zezë, ka ndërruar emrin në “Interlogistic”. Subjekti është në pronësi të motrës së Vilma Nushit, sipërmarrëses së njohur të koncesionit të “Check-Up”. Ndonëse është në listën e zezë, kjo firmë ka përfituar 127 milionë lekë nga tenderat publikë në periudhën 2019–2025.

“Me krijimin e një sh.p.k-je u promovua shumë ideja që biznesi mund të fillojë edhe me vetëm një euro, dhe gjithkush mund ta hapë një biznes. Deri këtu, mund të jetë në rregull. Por problemi është çfarë ndodh pasi ta hapësh këtë shoqëri. Çfarë garancie kam unë?”, u shpreh noterja Elona Saliaj.

SHYZE sh.p.k, në pronësi të Kujtim Kapollarit, rezulton se vitet e fundit ka marrë një leje për ndërtimin e kompleksit “Guçe” në rrugën e Kavajës. Pra, pavarësisht se kishte lënë pallatet në mëshirë të fatit, ka vijuar të sigurojë leje ndërtimi, përkundër qarkores së dorëzuar nga Kadastra në pushtetin vendor.

LIVELADA sh.p.k, e cila ndërroi emrin në “Aurum Konstruksion” dhe zotërohet nga vëllezërit Lamaj, gjithashtu ka përfituar nga tenderat publikë vitet e fundit.

ALB BUILDING, që zotërohet nga Pëllumb Beta dhe Odhise Bresha, rezulton të jetë një nga përfitueset më të mëdha të tenderave publikë. Ajo ka siguruar tendera me vlerë mbi 100 milionë euro gjatë dekadës së fundit, pavarësisht se është renditur në listën e zezë nga Kadastra.

AD-STAR, në pronësi të Alfred Çomës, po ashtu është në këtë listë. Kjo kompani është njëra nga ato që iu besua rikonstruksioni i ish-hotel “Dajtit” nga Banka e Shqipërisë.

A-A CONSTRUCTION sh.p.k administrohej nga Sabri Shera, i cili u arrestua për herë të dytë në vitin 2024 për mashtrim me shitjet e një prone më shumë se një herë. Sherës iu vunë prangat pas një sërë kallëzimesh nga qytetarë të ndryshëm. Në atë kohë, ai akuzohej se kishte shitur së paku 8 apartamente dy ose më shumë herë. Për të njëjtën akuzë, ai ishte arrestuar edhe në vitin 2019.

Subjekti KONUDA sh.p.k, që zotërohet nga Dhame Daka, Muharem dhe Klemendit Nuredini, pavarësisht se ka braktisur pallatin që ka ndërtuar vetë, është një nga përfituesit e procesit të rindërtimit.

Më e komplikuar është historia me pallatet e ndërtuara në Durrës nga TEUTA KONSTRUKSION, në pronësi të Alfons Hanit. Problemi i pronësisë ka mbetur i pazgjidhur. Për më tepër, godinat u dëmtuan nga tërmeti. Banorët që ende nuk kanë siguruar dokumentet e pronësisë tashmë përballen edhe me një problem të dytë që lidhet me ekspertizat e sigurisë, për të cilat ata dyshojnë se janë manipuluar.

Top Channel