Pallati ndodhet në lagjen 13, në Durrës. Objekti është ndërtuar nga kompania Fat-Bel, me pronar Bajram Gashi.

Ndarja nga jeta e pronarit të kompanisë, në vitin 2013, ka lënë në mëshirë të fatit rreth 80 familje që kanë blerë apartamente në këto dy pallate. Siç rezulton nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania i ka kaluar fëmijëve dhe bashkëshortes së Gashit.

Vitet e fundit, kompania ka një sërë vendimesh sekuestroje mbi pasuritë e saj, për shkak të borxheve të shumta. Bashkia e Durrësit dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipoteka) janë në dijeni të situatës, por ende nuk kanë ofruar asnjë zgjidhje për banorët. Pallati është lënë në mëshirë të fatit sa i përket punimeve në hapësirat e përbashkëta.

Për shkak të problemeve që i shoqërojnë prej gati dy dekadash, një pjesë e madhe e banorëve kanë zgjedhur të mos banojnë në të. Kjo ka vështirësuar edhe aplikimin për legalizim në mënyrë private, pasi ligji kërkon që duhet të aplikojnë së paku 70% e banorëve.

Problemi me të cilin përballet Eva është një plagë e vjetër që ka përndjekur mijëra qytetarë në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë, Lezhë apo Sarandë – kudo ku ka pasur ndërtime të reja.

Që prej vitit 2005, kur nisën ndërtimet masive të blloqeve të pallateve, sektori i ndërtimit, përveçse është kthyer në një motor për ekonominë shqiptare, është zhvilluar në mënyrë kaotike. Si pasojë, industria ka prodhuar me të njëjtin ritëm edhe konflikte të ashpra sociale, për shkak të mashtrimeve me shitjen e apartamenteve dy ose më shumë herë.

Top Channel