Inside Story/ Luftë që nuk kursen askënd, tritol grave të të fortëve të Vlorës dhe zhdukje mafioze…
Mentor Kusho, me profesion mësues, është rasti tipik se si shteti, biznesi dhe të gjithë strukturat sillen me qytetarët.
Me kursimet e jetës, ai nënshkroi një kontratë noteriale për blerjen e një apartamenti në Fier, me kompaninë “A&E kontruksion” në pronësi të Eqerem Mehmetaj dhe Agron Seitaj. Pas 16 vitesh, ai nuk e zotëron atë pronë. Madje, është futur në një spirale procesesh gjyqësore, padi, kundërpadi, pa gjetur të drejtën.
“Bëra një shënim në derë që është e shitur dhe gjatë kësaj kohe nuk u arrit të shitej edhe pse u tentua për t’u shitur nga pronarët e firmës. Mirëpo, duke parë numrin e telefonit, blerësi komunikohet dhe janë të hequr disa blerës”, u shpreh Mentor Kusho, denoncues.
Pas kallëzimit të Mentorit, gjykata dënoi me 8 vite burg për mashtrim ndërtuesin Mehmetaj. Ortaku tjetër, Seitaj, u dënua me 12 vite burg.
Këtu fillon një tjetër kalvar. Duke qenë se as pronarët e truallit nuk kishin marrë apartamentet e premtuara, atëherë gjykata ua kthen truallin së bashku me objektin 9-katësh që kishte përfunduar së ndërtuari. Ata aplikojnë për legalizim.
“Me këtë pallat, pronari i tokës së bashku me një tjetër që ishte gjysmë aksioner tek firma, kish paguar, kish bërë punime rreth 200-300 milionë lekë të vjetra, punimet së bashku me këtë i kalojnë dhe hedhin për legalizim sikur ky pallat është bërë nga këta, jo sikur të jetë bërë nga firma”, u shpreh denoncuesi.
Mentori e konsideron absurd faktin që gjykata i njohu si pronarë të objektit pronarët e truallit. Këta të fundit u kërkuan sërish banorëve që t’ua rishisnin. Ata që nuk pranuan nuk i përfshinë në procesin e legalizimit, por bënë kontrata të reja me një noter në Lushnje.
“Më duket prapë absurde kjo; një objekt i shqyrtuar në Fier të bëjë aktin noterial në Lushnjë. Janë futur vetëm ata që ju ka bërë ky pronari i tokës shitjen te noteri i Lushnjës”, u shpreh Mentor Kusho.
Mes denoncimeve dhe gjyqeve të shumta për mashtrime, gjykata i thotë mentorit se duhet të merret me firmën që i ka marrë lekët dhe jo me këta që e kanë tani objektin.
“Dhe në këtë vendim, gjykata vendosi se përderisa s’është përfunduar si objekt, marrëdhënia e ke me firmën, jo me pronarin e truallit, kështu që ti nuk mund të kërkosh që objekti, edhe pse unë kisha një dokument që e kisha blerë unë atë si objekt, kisha blerë truallin, kisha blerë objektin…”, u shpreh Mentor Kusho, denoncues.
Ky është kalvari i një mësuesi që shpenzoi kursimet e jetës për një strehë, por endet në gjykata prej vitesh.
“U lodha aq shumë me gjyqe në gjykata, jam larguar nga Fieri dhe nuk e kam ndjekur më si procedurë as apelin, as vendimin e apelit. Apelova vendimin e gjykatës për mos përfshirje të emrit tim në legalizim, sepse përderisa pallati kaloi në legalizim, unë këtë kërkova, që të njihet objekti dhe në fund legalizimi përfundoi vetë objekti”, u shpreh Mentor Kusho, denoncues.
Top Channel