Inside Story/ Ish-politikani mashtronte 30 mijë euro qytetarit, i dëmtuari: Shkova, i qava hallin edhe në burg

28/05/2025 21:57

Klodian Kapiti, në vitin 2010, nënshkroi një kontratë për blerjen e një apartamenti në lagjen nr.5 në Durrës, pa e menduar se do të binte pre e një skeme mashtrimi nga ndërtuesi Kujtim Kllogjeri, ish-kryebashkiak i Gramshit.

30 mijë euro të fituara nga puna në emigracion ia pagoi sapo nënshkroi kontratën e noterisë, me premtimin se shtëpinë do ta merrte një vit më pas. Por ajo që ndodhi i ngjan një makthi për Klodianin, që jeton ende me qira.

“Po shihja lajmet dhe lexova se ishte arrestuar ndërtuesi, kur shkova para pallatit po ziheshin të gjithë”, u shpreh Klodian Taipi, denoncues.

Ky ishte momenti kur kuptoi se ishte mashtruar. Ndërtuesi i kishte shitur shtëpinë edhe dikujt tjetër.

“Më kishin ndërruar derën, më doli një çift të moshuarish. Më iku truri, për pak desha ta rraha”, u shpreh Klodian Taipi, denoncues.

I gjendur pa rrugëdalje, ai shkoi ta takonte në burg ndërtuesin, i cili i premtoi se do t’ia jepte banesën me kusht që të mos e denonconte, pasi i rëndohej pozita. Më pas e takoi sërish pasi doli në arrest shtëpie, ku sërish i përsëriti të njëjtat premtime. Por, vetëm pak muaj më pas u zhduk. I gjendur pa rrugëzgjidhje, ai zuri me vetëgjyqësi një hyrje të katit të 10-të, por përfundoi në prokurori.

“Unë isha blerësi i dytë, dhe pas meje ia kishte shitur edhe një tjetri”, u shpreh denoncuesi.

Hetimet e prokurorisë zbuluan një masakër të vërtetë me shitjet dyfishe. Kështu, pallati kishte në total 43 hyrje, të cilat u ishin shitur 71 personave të ndryshëm. Në katin e tretë, p.sh., kishte 4 hyrje që u ishin shitur 11 personave, ndërsa më paradoksalja ishte fakti se kishte shitur edhe një hyrje imagjinare në katin e 11, që nuk ekzistonte as në projekt dhe as ishte ndërtuar në terren. Pra, kishte shitur ajrin.

Kujtim Kllogjeri u dënua në vitin 2015 me 12 vite burg nga gjykata e Durrësit, nën akuzën e mashtrimit kundrejt disa personave, por ai ndërkohë ishte në arrati. Ndërtuesi nuk u vu kurrë në pranga. Ai kishte mashtruar edhe pronarët e truallit. Pjesë e skemës së mashtrimit ishin edhe apartamentet e kësaj kategorie.

Pjesa dërrmuese e kontratave janë lidhur në periudhën 2010-2013 para së njëjtës notere, Aida Spahiu në Durrës, e cila pretendon se nuk kishte nga ta dinte se ndërtuesi po bënte shitje të shumëfishta. Pallati po ashtu është ndërtuar edhe mbi rrënojat e një muri të vjetër antik, të cilin e ka dëmtuar gjatë punimeve.

“Nuk i përjashton nga përgjegjësia noterët ky veprim, sepse noteri është jurist dhe ka përgjegjësi ligjore më shumë sesa një qytetar apo më shumë sesa një subjekt ndërtues zhvillues që mund të mos kenë njohuri fare nga ligjet. Dhe përgjegjësia më e madhe i bie një noteri. Nuk mund të përjashtohet nga përgjegjësia në atë lloj situate asnjë noter në realizimin e kontratave tre apo katër herë”, u shpreh avokatja, Vasilika Hysi.

Klodiani është ende pa shtëpi dhe gjykata ka vendosur që kompania t’i kthejë shumën e parave. Por, ai është i zhgënjyer nga mënyra se si kanë vepruar institucionet.

“Prisja që shteti të bënte një vlerësim dhe të paguheshim edhe ne që kemi shlyer detyrimet”, u shpreh Klodian Taipi.

Top Channel